
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç, i cili aktivizohet në Serie A me Sassuolon, ka folur para ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovenisë, duke shprehur besimin e tij në ekip dhe pritshmëritë për fitore.
“Jam i kënaqur me formën time personale dhe nesër pres vetëm fitore. Do të bëjmë gjithçka për ta arritur”, tha Muriç me vendosmëri.
Ai theksoi progresin e ekipit kombëtar ndër vite:
“Nëse kthehemi pas në kohë, kemi shumë për të treguar. Kemi lojtarë të rinj, luajmë në liga më të forta dhe kemi dëshmuar veten. Tani kemi një mundësi të artë për ta konfirmuar këtë edhe nesër.”
Në lidhje me repartin e mbrojtjes, Muriç u shpreh i sigurt:
“Gjithmonë jam ndjerë i sigurt me bashkëlojtarët e mi në mbrojtje. E di si luajnë, si performojnë dhe jam shumë i lumtur që i kam para vetes në fushë.”
Për kundërshtarin slloven, portieri nuk shfaqi ndonjë frikë të veçantë:
“Çdo përfaqësuese ka lojtarë cilësorë, por nuk mendoj se ekipi i Sllovenisë ka ndonjë gjë të veçantë që duhet potencuar”
Muriç vlerësoi lart edhe mbështetjen e tifozëve:
“Përkrahja në stadium është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, na jep një motivim shtesë.”
I pyetur për kolegun e tij slloven, Jan Oblak, Muriç nuk kurseu vlerësimet:
“Pa dyshim, Oblak është një nga portierët më të mirë në botë, një legjendë e gjallë. Por shpresoj që nesër bashkëlojtarët e mi të jenë në ditën e tyre më të mirë, ta mposhtim Slloveninë dhe të marrim tri pikët.”
Arijanet Muriç para sfidës me Slloveninë: Kemi mundësi të artë, presim vetëm fitore!