
Ditët po kalojnë dhe e ardhmja e Armando Brojës mbetet ende e paqartë. E vetmja gjë e sigurt është largimi i tij nga Chelsea, pasi trajneri Enzo Maresca nuk e ka në planet e tij për sezonin e ri.
Emri i sulmuesit kuqezi është përfolur gjatë kësaj vere në lidhje me disa ekipe, si nga Premier League, ashtu edhe nga kampionatet jashtë Anglisë.
PSV dhe Ajax nga Eredivisie, Stuttgart dhe Leipzig nga Bundesliga, janë disa prej skuadrave të interesuara. Së fundmi, një tjetër klub është futur në garë: Parma nga Serie A.
Sipas raportimeve të gazetarit Nicolo Schira, Parma është e interesuar për Brojën, por mbetet për t’u parë nëse dëshiron ta marrë në huazim apo të blejë përfundimisht kartonin e tij.
Megjithatë, transferimi në Itali duket i vështirë për momentin, pasi vetë Broja preferon të qëndrojë në Angli. Në ditët në vijim pritet të merret vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e tij.