Barça e shkatërron Valencian – Fermin dhe Raphinha shkëlqejnë në Johan Cruyff
Barça - Valencia 6-0
Barcelona regjistroi një fitore spektakolare 6-0 ndaj Valencias në La Liga, duke zgjatur në 11 ndeshje serinë e pamposhtshmërisë ndaj “Los Che” në kampionat – një ecuri që daton që nga janari i vitit 2020.
Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare e ekipit të parë të meshkujve që zhvillohet në “Estadi Johan Cruyff”. Në mungesë të Lamine Yamal, i dëmtuar me përfaqësuesen e Spanjës, Hansi Flick zgjodhi ta nisë nga stoli Robert Lewandowskin dhe Raphinhan. Marcus Rashford, i aktivizuar si titullar, ishte protagonist që në minutat e para me dy raste të pjesshme. Ish-sulmuesi i Valencias, Ferran Torres, ishte pranë golit me një parabolë të zgjuar që përfundoi mbi rrjetë. Gjuajtjet e Roony Bardghji dhe Fermín López ishin ndër shtatë tentativat drejt portës për Barcelonën vetëm në 15 minutat e para, ndërkohë që Valencia reagonte me topa të gjatë për Hugo Duro.
Pavarësisht dominimit në zotërim të topit, katalanasit hasën vështirësi për të gjetur hapësira për shkak të organizimit të mirë të skuadrës së Carlos Corberán, me Mouctar Diakhaby në një formë të shkëlqyer. Por, në minutën e 29-të, një prekje magjike nga Ferran Torres asistoi Fermínin, i cili finalizoi saktë nga një kënd i vështirë. Goli i hapi rrugën lojës së rrjedhshme për Barcelonën që mbylli pjesën e parë me dominim. Megjithatë, në kohën shtesë, një pasim katastrofik i Eric Garcías mund të kishte kushtuar shtrenjtë, por Pau Cubarsí ndërhyri në kohë për të ndalur Duros në momentin vendimtar.
Në fillim të pjesës së dytë, Ferran Torres goditi shtyllën pas një aksioni të bukur. Rashford vazhdoi të tregonte dinamizëm, dhe më në fund kontribuoi me një pasim fantastik që u finalizua nga Raphinha për golin e dytë. Vetëm tre minuta më vonë, Fermín realizoi një “predhë” nga distanca, duke vulosur fatin e ndeshjes.
Me 25 minuta të mbetura, Raphinha shënoi sërish me një tjetër goditje të fuqishme, duke kompletuar dygolëshin e tij. Ai ishte pranë një tjetër goli, por José Gayà ndërhyri në momentin e fundit. Valencia tentoi të dalë në sulm, por la hapësira pas, të cilat Barça i shfrytëzoi në maksimum.
Lewandowski, i futur nga stoli, nuk vonoi të lërë gjurmë duke shënuar golin e pestë pas një asisti të Dani Olmos. Pesë minuta para fundit, polaku përfitoi nga një vendosje jo e mirë e mbrojtjes dhe realizoi edhe golin e gjashtë me një parabël të bukur.
Fitorja e thellë bën që Barcelona të vazhdojë formën e shkëlqyer në shtëpi në kampionat për vitin 2025 (10 fitore, 1 barazim, 1 humbje), ndërsa trajneri Corberán do të kërkojë reagim të menjëhershëm nga Valencia, që në këtë ndeshje pati vetëm dy goditje në total.