
KB Bashkimi nga Prizreni po shkruan një kapitull të ri në historinë e klubit, duke marrë pjesë për herë të parë në arenën ndërkombëtare të basketbollit – në fazën kualifikuese të Kupës FIBA të Evropës.
Përballja e tyre e parë është një sfidë e madhe: Anwil Włocławek, një ndër ekipet më të fuqishme dhe më të suksesshme në basketbollin polak.
Edhe pse shorti ishte i vështirë, brenda klubit mbizotëron një atmosferë pozitive – përgatitje serioze, vendosmëri dhe dëshirë për ta përfaqësuar denjësisht Prizrenin dhe Bashkimin në këtë garë.
Trajneri Igor Jovovic dhe kapiteni Altin Morina, janë të vetëdijshëm për peshën e sfidës, por të tre shprehen të vendosur se Bashkimi do të luftojë fort për të sfiduar rivalin dhe për të lënë gjurmë në skenën evropiane.

Trajneri Jovovic, në një deklaratë për KosovaPress, thekson se Bashkimi do t’ua vështirësojë maksimalisht punën kundërshtarëve:
“E rëndësishme apo jo, kjo është një mundësi e madhe për qytetin e Prizrenit dhe për Bashkimin si klub për të garuar në kualifikimet e Kupës FIBA të Evropës. Unë në jetë jam optimist, por edhe realist. Nuk patëm shumë fat në short. Po përballemi me një ekip që vit pas viti është kampion ose nënkampion në Poloni. Si dikush që kam punuar tashmë në atë vend, e di që Anwil është një nga fuqitë e mëdha atje. Organizim i madh, cilësi e madhe në skuadër dhe gjithashtu bazë e mirë tifozësh, kështu që do të jetë shumë e vështirë për ne. Por mendoj se duhet t’ua bëjmë jetën të pa rehatshme, sidomos këtu në ndeshjen e parë në Prizren, dhe t’i sfidojmë shumë fort.”
Kapiteni Altin Morina është po ashtu i vetëdijshëm për forcën e rivalit, por tregon vendosmërinë e ekipit për të dhënë maksimumin:
“Siç e dimë, Bashkimi për herë të parë merr pjesë në garat ndërkombëtare, për ne është shumë e rëndësishme, është histori. Jemi duke u përgatitur mjaftueshëm mirë. E kemi një kundërshtar shumë të fortë pasi siç e dimë para dy viteve ka qenë edhe kampion i kësaj lige, mirëpo neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç se të japim maksimumin ndaj tyre dhe të shfaqim rezultate të mira në Evropë.”
Ndeshja zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 në “Sezai Surroi”.