Bashkimi

Bashkimi nga Prizreni vazhdon të shkruajë histori në arenën ndërkombëtare. Pas triumfit ndaj Cibona Zagreb javën e kaluar, ekipi i drejtuar nga trajneri Igor Jovoviç ka mposhtur edhe skuadrën italiane të Reggianas me rezultat të ngushtë 77-76, në një përballje dramatike të vlefshme për FIBA Europe Cup.

whatsapp image 2025 11 12 at 90508 pm

Ndeshja, e zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi”, ishte një tjetër spektakël për tifozët prizrenas. Bashkimi dominoi në çerekun e parë (24-17), por humbi të dytin (17-26). Pjesa e dytë ishte një betejë e barabartë, me dramatizëm të lartë, ku vendasit u treguan më të ftohtë në momentet vendimtare.

Statistikat kryesore të ndeshjes:

  • Të dy skuadrat shënuan nga 25 goditje nga loja, me Bashkimin pak më efikas (43.86% ndaj 43.1%).

  • Në gjuajtjet për dy pikë, Bashkimi realizoi 21 nga 41 tentativa (51.22%), përkundrejt 12 nga 27 (44.44%) të Reggiana-s.

  • Italianët ishin shumë më të rrezikshëm nga distanca, me 13 treshe të realizuara nga 31 tentativa (41.94%), ndërsa Bashkimi shënoi vetëm 4 nga 16 (25%).

  • Vendësit dominuan në kërcime me gjithsej 41 (15 ofansive dhe 26 defansive), kundrejt vetëm 23 të Reggiana-s.

  • Në vijën e gjuajtjeve të lira, Reggiana ishte më efikase (76.5% ndaj 65.7%), por Bashkimi fitoi më shumë faulle dhe pati më shumë tentativa (35 ndaj 17).

  • Sa i përket asistimeve dhe topave të humbur, të dy skuadrat ishin afër (Bashkimi 14 asistime dhe 14 topa të humbur, Reggiana 15 asistime dhe 8 humbje).

tabela 4

Performanca individuale:

  • Woldetensae (REG) ishte shënuesi më i mirë i takimit me 21 pikë, duke realizuar 7 nga 9 gjuajtje nga fusha.

  • Bickerstaff (BAS) ishte figura kryesore për Bashkimin, me 18 pikë dhe 13 kërcime në vetëm 19 minuta lojë.

  • Anderson (BAS) kontribuoi me 17 pikë, 4 kërcime dhe 6 asistime, ndërsa  Zekiri (BAS) shtoi 10 pikë dhe 7 kërcime.

Deklarata pas ndeshjes:
Trajneri i Bashkimit, Igor Jovoviç, pas ndeshjes u shpreh entuziast:
“Kam djem me karakter të jashtëzakonshëm. Për basketbollin kosovar dhe për Bashkimin është një triumf i madh. Një fitore ndaj një skuadre si Reggiana është e pabesueshme. E rëndësishme ishte të qëndronim të disiplinuar në mbrojtje dhe të sulmonim me maturi. Respekt për Reggianën – janë një ekip i madh,” deklaroi Jovoviç.

Nga ana tjetër, trajneri grek i Reggiana-s zgjodhi të mos prononcohej për mediat pas ndeshjes.

 

whatsapp image 2025 11 12 at 85223 pm