Bashkimi doli fitues në derbin e javës së gjashtë të ProCredit Superligës, duke e mposhtur GO+ Pejën me rezultatin 83:79 (26:19, 17:16, 22:26, 18:18).
Prizrenasit e mbyllën ndeshjen si e vetmja skuadër pa humbje, me gjashtë fitore radhazi, ndërsa verdhezinjtë e pësuan disfatën e parë pas pesë triumfeve.
Përballja në Prizren u zhvillua në një ambient të jashtëzakonshëm, me duele të forta, rikthime në rezultat dhe shumë intensitet.
Vendasit, të shtyrë nga tifozët e tyre, e morën çerekun e parë 26:19, ndërsa periudha e dytë ishte më e balancuar dhe u mbyll 17:16, duke çuar pjesën e parë në 43:35.
Pjesa e dytë solli edhe më shumë rivalitet. Peja arriti të barazonte në 57:57, ndërsa rezultati pas tre çerekëve ishte 65:61 për Bashkimin. Dhjetë minutat e fundit sollën dramë të vërtetë, por Portokallezinjtë u treguan më të qetë në fund dhe e vulosën fitoren 83:79.
Te Bashkimi u spikatën Kyan Anderson me 16 pikë, gjashtë kërcime e tetë asistime, Dequon Lake me 14 pikë e shtatë kërcime dhe Lejson Zeqiri me 14 pikë e tetë kërcime. Për mysafirët u dalluan Cesare Edwards me 16 pikë e 11 kërcime dhe Tajh Green me 15 pikë e nëntë kërcime.

