
Basketbolli në Kosovë, sa i përket interesimit të publikut, është shumë herë më i madh se sportet e tjera. Ndoshta kjo është arsyeja që basketbollistët vendor kanë kërkesa të larta për paga. Të tilla janë shfaqur edhe në rastin e KB Sigal Prishtinës, ku tre prej tyre kanë paraqitur kërkesa të jashtëzakonshme.
Sipas burimeve të afërta, kërkesat për paga kanë qenë marramendëse, edhe në krahasim me pagat e futbollistëve, klubet e të cilëve shpesh mbështeten financiarisht nga shitja e lojtarëve dhe pjesëmarrja në gara ndërkombëtare.
KB Sigal Prishtina nuk është shpallur kampione për pesë vite me radhë, dhe megjithëse në heshtje, drejtuesit e klubit kanë tentuar të bindin disa nga basketbollistët më të talentuar dhe më me emër në kampionatin vendor. Megjithatë, kërkesat e tyre të mëdha janë refuzuar nga bardhekaltrit, ndoshta me arsyetim të drejtë.

Erjon Kastrati (30 vjeç), së fundi pjesë e Trepçës, dhe më parë i Olimpisë së Ljubljanës, Krka-së, Koperit dhe Yllit, thuhet se ka kërkuar pagë mujore prej 8,000 eurosh.

Ndërkaq, Lis Shoshi (31), ish-basketbollist i Prishtinës, Pejës dhe së fundi i Golden Eagle Yllit, ka kërkuar 8,200 euro, duke tejkaluar për 200 euro shifrën e Kastratit.

Rekordin e kërkesave e mban Jan Palokaj (24), ish-anëtar i Prishtinës, Zagrebit, Zarës dhe së fundi i Golden Eagle Ylli, i cili ka kërkuar plot 8,500 euro në muaj.
Vlen të theksohet se buxhetet e klubeve të basketbollit në Kosovë mbështeten kryesisht nga sponzorizimet e taksapaguesve kosovarë.
Ndoshta kërkesa për këto shuma të basketbollistëve tanë mund edhe të justifikohen, ku nuk mohohet fakti që basketbollistët e huaj në skuadrat tona kalojnë edhe numrat gjashtëshifror të pagës.
Be the first to comment