Bekim Balaj

Bekim Balaj

Vllaznia nënvlerësohet nga kompanitë e basteve para sfidës në Islandë, konstaton Kërlaçki në analizën e saj para duelit të sontëm në Islandë.Pavarësisht fitores dramatike në ndeshjen e parë ndaj Víkingur Reykjavik me përmbysje 2-1, Vllaznia e Shkodrës është nënvlerësuar dukshëm nga kompanitë e basteve për sfidën e kthimit në Islandë.

Kuqeblutë arritën të përmbysin rezultatin pas disavantazhit 0-1, duke treguar karakter dhe lojë bindëse ndaj një skuadre me përvojë europiane, që sezonin e kaluar mori pjesë në fazën e grupeve të UEFA Conference League.

Megjithatë, bastoret ndërkombëtare i japin avantazh të madh islandezëve, duke vendosur kuota të ulëta për fitoren e Víkingur dhe të larta për Vllazninë – një tregues që ka habitur jo pak tifozët dhe analistët.

Kjo vjen pas fitores shkatërruese 8-0 që Víkingur regjistroi ndaj Malishevës në ndeshjen e kthimit të raundit të parë. Vikingur kishte fituar edhe duelin e parë 1-0 në Prishtinë. Ndërsa, edhe pse Vllaznia ka shfaqur qëndrueshmëri dhe potencial duke fituar duelin e parë me rikthim, kuotizimi aktual lë të nënkuptohet një skenar i njëanshëm në favor të islandezëve.

Mbetet për t’u parë nëse kuqeblutë do të arrijnë të përmbysin pritshmëritë dhe të shmangin një fat të ngjashëm si skuadra kosovare. Ndeshja zhvillohet sot dhe pritet me interes të madh si nga tifozët shkodran ashtu edhe nga opinioni sportiv.

 

 

Në tregun “win market”, Víkingur ka kuota që luhaten rreth 1.35 (7/20), ndërsa për fitoren e Vllaznisë ofrohen kuota shumë të larta – deri në 9.00 (8/1). Kjo përkthehet në një probabilitet rreth 75% për islandezët dhe vetëm 11% për kuqeblutë, sipas Oddspedia-s dhe Oddschecker-it.

Ekspertët dhe analizat paraprake i japin avantazhin skuadrës nga Reykjaviku për disa arsye:

Përvoja ndërkombëtare – Víkingur ka një bilanc më të qëndrueshëm në garat evropiane, me paraqitje solide në Conference dhe Champions League në vitet e fundit.

Fitorja me vështirësi e Vllaznisë – Triumfi 2-1 në “Loro Boriçi” nuk ka bindur, sidomos për faktin që u arrit pas përmbysjeje dhe me mungesë dominimi në lojë.

Gjendja fizike dhe mungesat – Trajneri Edi Martini ka konfirmuar shqetësime për formën dhe disponueshmërinë e disa titullarëve. Ndërkohë, Vikingur vlerësohet si një ekip më i plotë dhe më fizik.

Edi Martini
Edi Martini në seancën stërvitore në fushën e Vikingur, Islandë

Përpara ndeshjes, Martini është shprehur i matur për përballjen:
“Ne përballemi me një ekip shumë të mirë fizikisht, nuk është për asgjë që ata janë kampionë në Islandë. Janë favoritët, por do të bëjmë maksimumin për të kaluar më tej”.

Vllaznia e prirë nga futbollisti me shumë përvojë Bekim Balaj, do të tentojë të mbajë epërsinë minimale për të kaluar në raundin e tretë, në një sfidë ku fati dhe përqendrimi do të jenë vendimtarë për të thyer parashikimet.