
Belgjika është ngjitur në krye të Grupit J të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, pas një fitore të thellë 4-2 ndaj Uellsit në Cardiff, ndërsa Maqedonia e Veriut u ndal në barazim 1-1 nga Kazakistani në Shkup – duke humbur pozitën e parë.
Bardhi shpëton Maqedoninë nga disfata – barazim me shije të hidhur ndaj Kazakistanit në Shkup
Maqedonia e Veriut ka barazuar 1-1 ndaj Kazakistanit në një ndeshje zhgënjyese në Shkup, duke humbur vendin e parë në Grupin J të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Megjithëse favoritë të qartë, e nisën dobët dhe u ndëshkuan në minutën e 65-të nga një “bicycle kick” e Karamanit, pas një serie pritjesh të jashtëzakonshme nga portieri kazak Seysen ndaj Ristovskit dhe Velkovskit.
Kapiteni Enis Bardhi riktheu shpresat me një goditje dënimi magjike në minutën e 74-të, por përkundër përpjekjeve të fundit, vendasit prodhuan vetëm një goditje në portë deri në fund.
Maqedonia tani bie në vendin e dytë, me vetëm një ndeshje të mbetur ndaj Uellsit, ndërsa Belgjika, që mposhti Uellsin 4-2, ka dy ndeshje në dispozicion për ta mbyllur grupin si lidere.
Belgjika dominon në Cardiff – De Bruyne ndëshkon Uellsin me dy penallti
Në Cardiff, Belgjika i dha fund shpresave të Uellsit për kualifikim të drejtpërdrejtë, me një fitore të sigurt 4-2. Joe Rodon kaloi vendasit në epërsi në minutën e 8-të, por një penallti e Kevin De Bruyne dhe një gol i Thomas Meunier brenda vetëm gjashtë minutave përmbysën rezultatin në favor të belgëve.
Uellsi provoi të reagonte në pjesën e dytë, por një tjetër penallti e realizuar nga De Bruyne pas një ndërhyrjeje me dorë të Jordan James vulosi ndeshjen. Nathan Broadhead shënoi për Uellsin, por Leandro Trossard riktheu diferencën në dy gola në minutën e 90-të.