Besa Famgas ndalet në raundin e dytë të Kupës Evropiane, barazon në shtëpi ndaj Izvigjaçit

KH Besa
KH Besa

Besa Famgas ka përfunduar rrugëtimin në edicionin e sivjetmë të Kupës Evropiane në hendboll, pavarësisht barazimit të arritur në përballjen e kthimit ndaj kampionëve të Bosnjë-Hercegovinës, Izvigjaç.

Ndeshja e zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë përfundoi me rezultat 32:32, por ky barazim nuk i mjaftoi ekipit vendas për të kaluar në raundin e tretë, pasi Izvgjaçi kishte fituar me shifra të thella në ndeshjen e parë (40:19).

Takimi i kthimit ofroi lojë të luftuar dhe emocione, me mysafirët që mbyllën pjesën e parë në avantazh prej katër golash. Pejanët reaguan në pjesën e dytë dhe arritën ta barazonin rezultatin, por përmbysja e thellë nuk ishte e mundur.

Më i miri për Besën ishte Elion Vokshi me 9 gola, ndërsa Deniz Terziqi realizoi 8, dhe Abdulah Zayan shtoi 5 të tjerë. Në portë, Olt Kabashi u dallua me 8 pritje.

Në sfidën e parë në Bosnjë-Hercegovinë, Besa u paraqit e mangët, pa dy lojtarët egjiptianë, për shkak të problemeve me pajisjen me viza, çka ndikoi dukshëm në performancën e saj.

Më herët, në raundin e parë të Kupës Evropiane, skuadra nga Peja kishte eliminuar ekipin turk Depsas Enerji, por këtë herë pengesa boshnjake rezultoi e pakalueshme.

Besa Famgas pëson humbje të turpshme në Bosnjë dhe Hercegovinë!