Më 28 korrik 1958 lindi Terry Fox, një atlet, humanitar dhe aktivist kanadez që ndryshoi mënyrën se si bota e sheh sfidat dhe humanizmin. Ai ndërroi jetë më 28 qershor 1981, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që vijon të jetojë përmes veprës së tij të paharruar, ka shkruar Index, përcjellë Kërlaçki.

Terry u rrit në qytetin Port Coquitlam, ku që në moshë të re shfaqi dashurinë për sportin, veçanërisht për basketbollin dhe vrapimin. Edhe pse nuk kishte një fizik të jashtëzakonshëm, përkushtimi dhe vullneti i tij e shndërruan në një sportist të dalluar. Një trajner në shkollën e mesme vërejti vendosmërinë e tij të rrallë dhe e orientoi drejt vrapimit, sport që më pas do të bëhej pjesë thelbësore e identitetit të tij
Në moshën 18-vjeçare, Terry u diagnostikua me osteosarkom, një formë e rrallë kanceri në kocka. Për të shpëtuar jetën, ai iu nënshtrua amputimit të këmbës së djathtë mbi gju. Edhe pse përballë një sfide të tillë të madhe, ai mësoi të vrapojë me protezë dhe në vitin 1979 përfundoi me sukses një maratonë të plotë. Ky përjetim e frymëzoi për të nisur iniciativën “Maratona e Shpresës” – një vrapim përmes Kanadasë me qëllimin për të mbledhur fonde për kërkime kundër kancerit

Maratona nisi më 12 prill 1980 në qytetin St. John’s, me qëllimin për të mbledhur nga një dollar për çdo qytetar kanadez. Terry vraponte rreth 42 kilometra në ditë, përballë kushteve të vështira atmosferike dhe lodhjes së përditshme. Megjithatë, më 1 shtator 1980, në qytetin Thunder Bay, ai u detyrua të ndërpriste rrugëtimin pasi kanceri ishte përhapur në mushkëritë e tij
Pavarësisht se nuk arriti të përfundonte vrapimin, Terry Fox arriti të mbledhë më shumë se 24 milionë dollarë për kërkimin e kancerit, duke ndikuar thellësisht në ndërgjegjësimin shoqëror. Ai ndërroi jetë më 28 qershor 1981, në moshën 22-vjeçare, por vepra e tij mbeti e kujtesë e gjallë.
Trashëgimia e Terry Fox vazhdon me “Vrapimin Terry Fox”, një ngjarje vjetore që organizohet në më shumë se 60 shtete të botës dhe që deri më sot ka mbledhur mbi 900 milionë dollarë kanadezë për kauzën e kërkimeve kundër kancerit. Ai është bërë simbol i guximit, qëndrueshmërisë dhe shpresës për miliona njerëz në mbarë botën
