
Pas një fillimi të suksesshëm në Kupën Evropiane të hendbollit (EHF European Cup), Besa Famgas përballet me sfidën e dytë – këtë herë ndaj kampionit të Bosnjë-Hercegovinës, Izvigjaç.
Takimi i parë zhvillohet të dielën në qytetin Ljubushki, me fillim nga ora 17:00, ndërsa ndeshja e kthimit është planifikuar më 19 tetor në Pejë.
Por skuadra pejane nuk ka shpëtuar pa telashe. Autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës vonuan pajisjen me viza të ekipit kosovar, pavarësisht aplikimit në kohë dhe përmbushjes së të gjitha procedurave. Vizat u siguruan vetëm të premten, duke e detyruar ekipin të udhëtojë një ditë para ndeshjes.
Për më tepër, Besa do të jetë e përgjysmuar në këtë sfidë të rëndësishme. Dy lojtarët kryesorë, egjiptianët Ahmed Hosni Hamed dhe Abdulah Zayan, nuk kanë marrë vizat dhe do të mungojnë në ndeshjen e parë.
Fillimisht, përballja ishte parashikuar për të shtunën mbrëma, por për shkak të vonesave nga autoritetet boshnjake, ajo është shtyrë për të dielën.
Në raundin e parë, Besa eliminoi ekipin turk Depsas Enerji, por Izvigjaç paraqet një sfidë shumë më të madhe – është kampion aktual dhe ka fituar tri titujt e fundit në Bosnjë-Hercegovinë.