22. Oktober 2026

Besnik Hasi synon ta sjellë Arbnor Mujën te Anderlecht

#post_seo_title

Arbnor Muja është në qendër të afatit kalimtar këtë verë dhe mund të rikthehet në Belgjikë pas një aventure jo shumë të suksesshme në Turqi.

Sipas mediave turke, skuadra e Anderlechtit, e drejtuar nga trajneri shqiptar Besnik Hasi, ka nisur negociatat me Samsunsporin për transferimin e 26-vjeçarit.

Muja ka kontratë me klubin turk deri në verën e vitit 2027, por këtë sezon është aktivizuar vetëm në dy ndeshje në Superligë.

Arbnor Muja
Arbnor Muja

Kjo ka bërë që lojtari të kërkojë largimin, duke i hapur derën një rikthimi në një kampionat që e njeh shumë mirë. Kartoni i tij aktualisht vlerësohet mbi 3 milionë euro, shifër që Anderlechti është i gatshëm ta diskutojë për të siguruar shërbimet e tij.

Sulmuesi i krahut i Kombëtares shqiptare ka lënë gjurmë në Belgjikë gjatë periudhës kur ishte pjesë e Antwerpit. Me këtë skuadër ai fitoi titullin kampion, Kupën dhe Superkupën, duke qenë pjesë e një sezoni historik për klubin.

Pikërisht Antwerp shihet si rivali kryesor i Anderlechtit në garën për Mujën, pasi po mendon ta rikthejë atë në radhët e veta.

Në anën tjetër, për Anderlechtin dhe trajnerin Besnik Hasi, transferimi i Mujës shihet si prioritet, duke pasur parasysh edhe faktin se lojtari është i njohur me kampionatin dhe mund të përshtatet menjëherë.

Besnik Hasi

Për më tepër, largimi i tij nga Samsunspori do t’i jepte klubit turk mundësinë të lirojë një vend për lojtarët e huaj, gjë që e bën marrëveshjen të favorshme për të gjitha palët.

Nëse marrëveshja finalizohet, Muja do të rikthehet në Belgjikë pas më pak se dy vitesh, por kësaj radhe nën urdhrat e një trajneri shqiptar që ka ambicie të mëdha me Anderlechtin.