
Ish-trajneri i Milanit, Fabio Capello, ka folur për “Gazzetta dello Sport”, ku është ndalur te ylli portugez Rafael Leão.
“Kam lexuar se të dielën në mbrëmje do të nisë nga stoli dhe më pas do të aktivizohet gjatë ndeshjes. Do të shohim si do të vendosë trajneri. Një Leão i fokusuar dhe i uritur bën diferencën. Massimiliano Allegri dhe shokët e skuadrës duhet ta përfshijnë siç duhet, përndryshe rrezikojnë efektin e kundërt,” tha Capello.
Ai më pas analizoi repartin ofensiv të kuqezinjve, duke e krahasuar me atë të Napolit:
“Me Christopher Nkunku dhe sidomos me Leão, Milani ka një stol që mund të jetë edhe më i fortë se ai i Napolit, për nga cilësia. Maks nuk është në një pozitë të keqe. Deri më tani, kushdo që ka hyrë në fushë ka dhënë maksimumin. Por çdo ndeshje është e ndryshme dhe këtë do ta shohim të dielën.”
Capello foli edhe për përballjen Milan–Napoli, që luhet të dielën në mbrëmje në San Siro:
“Do të jem në stadium. Jam kureshtar të shoh nëse Napoli do të arrijë të mbajë ritmin, gjë që nuk ka ndodhur gjithmonë në këto faza të hershme të sezonit. Për më tepër, Milani duket në formë të mirë,” përfundoi ai.