Trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, ka folur pas fitores 2:1 në transfertë ndaj Malishevës, në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.
Curri tha se e prisnin një ndeshje shumë të vështirë, duke theksuar se statistikat historike ishin gjithmonë në favor të Malishevës:
“E kemi pritur një ndeshje shumë të vështirë, e kam parë që statistikat kanë qenë gjithmonë në anën e Malishevës. Tetë ndeshjet e fundit nuk kishim asnjë fitore ndaj tyre”, deklaroi Curri për “Kërlaçki.com”.
“Pjesën e parë luajtëm shumë mirë, dominuam dhe me meritë shënuam dy golat”.
“Pjesën e dytë e bëri të vetën presioni psikologjik. Ndonjëherë nuk duhet të luash mirë, por të fitosh. Kemi pasur ndeshje kur kemi luajtur shumë mirë, por s’kemi marrë pikët maksimale. Sot ishte e rëndësishme fitorja”, shtoi ai.
Curri përfundoi duke shprehur qetësinë dhe fokusin për ndeshjen e radhës:
“Tani vazhdojmë të qetë këto dy javë të pauzës së Kombëtareve dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Dukagjini mposhti Ferizajn në udhëtim, 1:0.

