Pas barazimit 0-0 ndaj Eintracht Frankfurt në Ligën e Kampionëve, trajneri i Napolit, Antonio Conte, vlerësoi përpjekjet e skuadrës së tij, por nuk kurseu ironinë për qasjen mbrojtëse të kundërshtarit: “Një skuadër gjermane që ka mësuar Catenaccion italian.”
Duke folur për Sky Sport Italia, Conte u shpreh se, nëse Napoli do të kishte luajtur në të njëjtën mënyrë në Gjermani, do të ishin kritikuar për stil të vjetruar:
“Flitet për futboll ofensiv dhe europian, por le të themi që ne jemi mësues të mirë. Po përpiqemi të ofrojmë një futboll dominues dhe me identitet të qartë.”
Napoli regjistroi barazimin e dytë radhazi pa gola, pas atij në kampionat ndaj Komos, dhe trajneri pranoi se ritmi intensiv me ndeshje çdo tre ditë po ndikon:
“Është viti më i vështirë për ne. Kemi mungesa të rëndësishme dhe një grup të ngarkuar fizikisht. Sot ishim pa Lukakun, Meret, De Bruyne, Spinazzola, Gilmour e Lucca. Madje Elmas u aktivizua si zgjidhje emergjente në mesfushë.”
Përkundër mungesave, Conte nuk i kritikoi lojtarët:
“Nuk mund të fajësoj djemtë për përkushtimin. Kishim disa raste të mira, veçanërisht në pjesën e dytë me McTominay dhe Højlund. Po të kishim shënuar, do të flitej për një paraqitje të madhe. Kemi ambicie për t’u rritur dhe për të ndërtuar përvojë, sepse këtë sezon kemi më shumë ndeshje se kurrë.”
Napoli do të përballet me Qarabag, Benficën, Kopenhagën dhe Chelsean në katër sfidat e mbetura të fazës së grupeve, teksa mbetet në garë për një vend në fazën me eliminim direkt.