
Kevin De Bruyne është paralajmëruar nga trajneri Antonio Conte që të mos shfaqë nervozizëm kur zëvendësohet, pas reagimit të tij të zemëruar gjatë humbjes së Napolit ndaj Milanit në “San Siro”.
Mesfushori belg, i cili u zëvendësua në minutën e 70-të kur ndeshja ishte ende e hapur, u pa teksa largohej i acaruar nga fusha, duke murmuritur dhe me një shprehje të qartë zemërimi.
Conte, i cili aktivizoi Eljif Elmas për të ndryshuar ritmin e lojës, tha pas ndeshjes:
“Shpresoj që De Bruyne ishte i mërzitur nga rezultati, sepse nëse ishte për diçka tjetër, atëherë ka të bëjë me personin e gabuar.”
Kjo ishte hera e dytë në dy javë që De Bruyne zëvendësohet në një moment vendimtar të ndeshjes, pas zëvendësimit edhe ndaj ish-skuadrës së tij, Manchester City.

Duke folur për performancën e skuadrës, Conte pranoi se pësimi i një goli kaq të hershëm e ndërlikoi ndeshjen:
“Është për të ardhur keq që pësuam kaq shpejt. Të jesh në disavantazh në San Siro pas katër minutash nuk është aspak e lehtë. Ekipi mund të kishte bërë më mirë në të dyja rastet e golave.”
Ai shtoi se, megjithë presionin e lartë dhe rastet e krijuara, Napoli po pëson shumë gola së fundmi:
“Në pjesën e parë më pëlqeu skuadra, ushtruam presion të lartë dhe krijuam raste. Por po pësojmë shumë. Në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar katër gola. Mbrojtja ka qenë gjithmonë forca jonë, ndaj duhet të punojmë më shumë në këtë aspekt.”
Pavarësisht humbjes, Conte u përpoq të nxjerrë edhe anët pozitive:
“Të vish këtu dhe të luash me autoritet kundër një skuadre solide si Milani është një sinjal pozitiv. Por ka ende shumë për të përmirësuar.”
Humbja ndaj Milanit ishte e para për Napolin këtë sezon, që tani ndan kreun e renditjes me 12 pikë me Milanin dhe Romën pas pesë javësh.
“Ishte humbja e parë në pesë ndeshje, dhe ajo erdhi kundër një kundërshtari shumë të fortë. Mund të ndodhë të pësojmë dy gola, por grupi e di që duhet të bëjmë më mirë si skuadër. Duhet më shumë përqendrim, sepse e vështiruam vetë ndeshjen.”
Allegri në stilin e tij: Napoli favorit për titull, Milani mendon për top-4!