Conte pas katastrofës me PSV: E dija që do ishte sezon i vështirë, por nuk ndryshoj taktikën

PSV-Eindhoven-6-2-Napoli
PSV-Eindhoven-6-2-Napoli

Antonio Conte pranoi se disfata 6–2 ndaj PSV Eindhoven ishte një goditje e rëndë për Napolin, por theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë qasjen taktike, pavarësisht krizës së momentit.

“E kisha paralajmëruar që nga fillimi se ky do të ishte një sezon i vështirë”, tha Conte pas humbjes më të thellë në karrierën e tij si trajner. Napoli kaloi në avantazh me McTominay, por më pas u përmbys dhe u shkatërrua me dy gola të vonë të Pepi dhe Driouech, ndërsa Lorenzo Lucca u ndëshkua me të kuq në minutën e 76-të.

Conte theksoi se ndryshimet e shumta në skuadër kanë ndikuar ndjeshëm: “Shtuam nëntë lojtarë të rinj, një numër që kërkon kohë për t’u përthithur. E fituam Scudetton sezonin e kaluar me një grup të kufizuar, por me unitet të madh. Tani mungojnë lojtarë kyç si Hojlund, Lobotka, Rrahmani dhe Lukaku – por kjo nuk justifikon gjithçka.”

Tekniku italian i dërgoi një mesazh edhe kritikëve që kërkojnë ndryshime taktike pas çdo humbjeje: “Çfarë të ndryshojmë? Kemi gjetur një ekuilibër me katër mesfushorë. Nuk ka kuptim të sakrifikojmë një nga ata për të futur sulmues krahu, kur nuk jemi të balancuar.”

Conte pranoi gjithashtu se ekipi ka humbur energjinë fizike dhe mendore që i dha titullin vitin e kaluar: “Duhet të rikthejmë atë shpirt, atë alkimí që patëm. Duhet durim dhe përgjegjësi nga të gjithë, përfshirë veten time.”

Napoli nuk ka pasur asnjë ndeshje me portën e paprekur që prej 30 gushtit dhe ka humbur katër nga shtatë takimet e fundit në të gjitha garat. Sfidën e radhës e ka ndaj Interit në fundjavë, por Conte mbylli me një batutë: “Nuk kam qenë kurrë trajner i buzëqeshur. Ndoshta duhet të jem më agresiv në stol. Herën tjetër do të hedh një karrige si zbutës luanësh.”