Trajneri Tahir Lushtaku ka debutuar sot në pankinën e Trepçës me një barazim të vlefshëm në derbin ndaj Feronikelit, që u mbyll me rezultatin 1-1. Ky rezultat, i kombinuar me humbjen e Vushtrrisë ndaj Ramiz Sadikut, ka rihapur plotësisht garën në krye të Ligës së Parë.
Pas ndeshjes, Lushtaku u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se ky ishte vetëm fillimi i një procesi që kërkon kohë dhe përkushtim.
“Sot zhvilluam një ndeshje të fortë dhe interesante ndaj Feronikelit. Ishte debutimi im me Trepçën pas vetëm tri stërvitjeve dhe jam i kënaqur me përkushtimin dhe reagimin e futbollistëve. Djemtë treguan karakter, disiplinë dhe dëshirë për të dhënë maksimumin”, tha Lushtaku për Kërlaçkin.
Tekniku drenicas vlerësoi shpirtin garues të skuadrës dhe përmendi se ekipi pati edhe momente për ta fituar ndeshjen. Ai e cilësoi barazimin si një hap pozitiv drejt ndërtimit të një grupi solid që synon rikthimin e Trepçës në vendin që meriton.
“Ky është vetëm fillimi i një rruge që kërkon durim dhe punë të përbashkët. Me këtë përkushtim dhe me mbështetjen e tifozëve tanë të jashtëzakonshëm, besoj se do të arrijmë objektivat tona”, përfundoi Lushtaku.
Në javën e 17-të, Lushtaku me Trepçën udhëton në Prishtinë ku do të ndeshen me 2 Korrikun.
