Kalo te përmbajtja
Sunday, 14 June 2026
Futboll Vendi

Deklaratat pas ndeshjes Egnatia – Vllaznia: Tetova kritikon arbitrat, Martini i zhgënjyer nga menaxhimi i fundit të lojës

Pas barazimit 2-2 në Rrogozhinë ndërmjet Egnatias dhe Vllaznisë, trajnerët e të dyja skuadrave kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me zhvillimet në fushë.

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, vuri në dyshim vendimet e gjyqtarëve, duke theksuar një episod që, sipas tij, duhet të ishte penalti në fillim të ndeshjes:

“Është penallti për ne në fillim të ndeshjes. Nuk e kuptoj çfarë ndodh – janë pesë arbitra për ta parë situatën. Është koha të themi ‘stop’. Sa i përket golit tonë nga goditja e dënimit, ajo ishte një skemë e përgatitur në stërvitje. Këto ndeshje fitohen me detaje dhe lojtarët e ekzekutuan në mënyrë perfekte. Sa i përket lojës ishte e nivelit tepër të lartë”.

Në anën tjetër, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shpreh i zhgënjyer nga mënyra si skuadra e tij menaxhoi avantazhin në fund të takimit:

“Më vjen keq. Ishim në epërsi 2-1 dhe me një lojtar më shumë në fushë, por nuk arritëm ta ruajmë rezultatin për vetëm 10 minuta. Duhej të kontrollonim lojën dhe, pse jo, të kërkonim edhe golin e tretë.”

Barazimi i lë të dyja skuadrat në ndjekje të kreut, në një garë gjithnjë e më të ngjeshur për vendin e parë në Kategorinë Superiore.

Egnatia barazon me një lojtar më pak me Vllazninë – Partizani dështon edhe ndaj Vorës