Nuk ka rëndësi që Gjilani ndodhet në zonën e kuqe dhe Prishtina është lidere – përballje e këtyre dy skuadrave ka qenë gjithmonë derbi të zjarrtë dhe ndeshje të luftuara deri në minutat e fundit, sidomos në vitet e fundit. Ndeshjen e parë të këtij edicioni ka fituar skuadra gjilanase, 3-1.
Dikur, Prishtina kishte bilanc absolutisht pozitiv ndaj Gjilanit, por në tetë përballjet e fundit, që nga viti 2023, bardhekaltrit nuk kanë arritur asnjë fitore. Ekipi tani i drejttuar nga Debatik Currit – ish-lojtar dhe ish-trajner i Prishtinës – Gjilani, ka regjistruar katër fitore dhe katër barazime ndaj ekipit kryeqytetas. Njëri nga këto barazime ishte në kuadër të Kupës, ku pas 120 minutash lojë, Prishtina u kualifikua më tej pas penalltive.
Prishtina vijon të jetë në krye të tabelës dhe po zhvillon një nga fillimet më të mira të kampionateve të fundit. Me 27 gola të shënuar, ka sulmin më të mirë në ligë, megjithatë në ndeshjet si vendase renditet e treta me 10 gola, pas Llapit me 14 dhe Drenicës me 11.
Gjilani, përkundër pozitës në renditje, paraqitet më mirë si mysafir sesa në shtëpi: ka fituar dy ndeshje, ka barazuar një dhe ka pësuar dy humbje në udhëtim. Megjithatë, shënon pak – vetëm Llapi me 2 gola ka shënuar më pak jashtë fushe, ndërsa Gjilani dhe Ferizaj kanë nga 4 gola të shënuar si mysafirë.
Që nga viti 2023, Gjilani ka shënuar në çdo ndeshje ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”, duke realizuar plot 8 gola në katër takime. Në fakt, të gjitha këto ndeshje janë karakterizuar nga gola të shënuar.
Duke marrë parasysh stilin gjithnjë më të hapur të lojës nga të dyja skuadrat, si dhe faktin që Gjilani i Currit ka shtuar posedimin e topit (siç u pa ndaj Dukagjinit), pritet një përballje spektakolare me gola edhe këtë herë në kryeqytet.
Deklaratat para derbit Prishtina – Gjilani: Thaqi beson te vazhdimësia, Curri kërkon rikthimin
Para sfidës së shumëpritur mes Prishtinës dhe Gjilanit, trajnerët e të dy skuadrave kanë dhënë deklaratat e tyre, duke theksuar rëndësinë e kësaj përballjeje dhe pritjet që kanë nga skuadrat e tyre.
Arsim Thaqi – trajner i Prishtinës:
“Po besoj shumë që lojtarët tanë tani janë rikuperuar dhe janë të gatshëm për ndeshjen me Gjilanin, ku presim një ndeshje mjaft interesante. Kuptohet, fitorja për ne do të thotë edhe një mundësi tjetër për të vazhduar serinë e fitoreve. Jam shumë optimist duke parë se si kanë shkuar seancat stërvitore dhe pres ndihmë të madhe nga tifozët tanë që t’i bëjmë krenarë, siç i kemi bërë shumë herë deri tani.”
Debatik Curri – trajner i Gjilanit:
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Jemi gati për këtë përballje dhe jemi gati të dëshmojmë që kemi kualitetin e duhur për t’u ngritur.”
Përballja në stadiumin “Fadil Vokrri” pritet të sjellë emocione dhe intensitet të lartë, me të dy trajnerët që kanë shprehur besim të plotë te skuadrat e tyre.
