
Dy skuadrat, rivale të përjetshme, dikur para viteve ’90 në Ligën e Parë Krahinore, gjithmonë në luftë për titull që dërgonte në garat federative, kryesisht në ish-Ligën e Dytë të Jugosllavisë.
Pastaj kishte garë edhe në vetë Ligën e Dytë, më e spikatura ishte ajo e edicionit 1982/83, kur Kosova kishte plot 4 skuadra në atë garë, me Prishtinën, Trepçën, Vëllaznimin dhe Lirinë.

Trepça e Prishtina luftonin për Ligën e Parë, në fund ia kishin dalë kryeqytetasit, ndërsa Liria dhe Vëllaznimi për mbijetesë. Ia kishte dalë Vëllaznimi me “ndihmën” e Prishtinës. Gjakovarët ishin treguar të mençur në atë edicion. Prishtina kërkonte pikët historike për Ligën e Parë, Trepça dhe Liria “nuk lëshonin pe”, kurse Vëllaznimi, që e priste Prishtinën në javën e fundit, kishte lëshuar zë: “Po iu desh Prishtinës, ne do të biem nga Liga!” Prishtina kishte siguruar plasmanin historik në Ligën e Parë një javë më parë, dhe udhëtimi në Gjakovë ishte për të mbyllur edicionin. Vëllaznimi kishte fituar dhe shpëtuar, Liria kishte rënë nga Liga.
Dy skuadra kaq të mëdha, me shumë futbollistë të njohur nga radhët e tyre, tani e shumë vite përpëliten ndërmjet Superligës dhe Ligës së Parë. Por kjo, për dashamirët e dy klubeve dhe dy qyteteve, nuk ka shumë rëndësi. Sidomos ndeshjet në Prizren janë të zjarrta. Kapaciteti më i madh i stadiumit dhe këmbëngulja e gjakovarëve përherë të jenë afër klubit të tyre, i bëjnë përballjet në Prizren spektakolare, por edhe shumë të tensionuara, sidomos pas “armiqësisë” maksimale ndërmjet dy tifo-grupeve, Arpagjikëve dhe Kuqezinjëve të Jakovës.
Statistikat:
Dy skuadrat, nga viti 2012 deri më 2025, kanë zhvilluar 9 përballje – jo më shumë, pasi herë njëra, herë tjetra ndodhej në Superligë. Në fakt, Vëllaznimi nuk është pjesë e saj që nga viti 2017, ndërsa Liria nga viti 2023.
Në këto 9 përballje, Liria ka vetëm një fitore, në edicionin e kaluar, në pranverë të këtij viti, në Prizren, 1-0.
Vëllaznimi ka 4 fitore, por vetëm një në Prizren – në vitin 2013, me rezultat 5-2. Janë arritur 4 barazime, ndërsa goldallimi i përgjithshëm është 16:10 për kuqezinjtë.
Lufta për Superligë, 2025/26
Liria nuk e nisi mirë kampionatin. Ndërroi trajnerin Klodian Duro me Liridon Lecin – për shumëkënd një befasi – dhe pas 12 ndeshjesh ndodhet vetëm në vendin e 7-të, me 20 pikë, 4 më pak se Vëllaznimi në vendin e dytë.
Vëllaznimi ka goldallim më të mirë, +10 (22:12), krahasuar me Lirinë me +5 (16:11).
Vëllaznimi ka 7 fitore, Liria 5. Liria ka 5 barazime, Vëllaznimi vetëm 3. Të dyja skuadrat kanë nga 2 humbje – dhe secila i ka si mysafire: Liria në dy derbit kundër Vushtrrisë dhe Trepçës ’89, ndërsa Vëllaznimi kundër Kikës dhe Dinamos.
Liria në shtëpi – duke përfshirë edhe ndeshjen si mysafire me Prizrenin në “Përparim Thaçi” – ka pësuar vetëm dy gola: kundër Trepçës në barazimin 2-2. Ka arritur dy fitore e tre barazime, por ka shënuar vetëm 6 gola. Në fakt, në 4 ndeshje nuk ka pësuar fare gol, përveç në derbin me “xehtarët”.
Vëllaznimi është më i mirë si vendas, por edhe si mysafir, me 3 fitore – duke përfshirë edhe ndeshjen me Trepçën ’89 të luajtur në fushë asnjanëse në Malishevë – por ka edhe 1 barazim dhe 2 humbjet e lartcekura. Ka shënuar 10 dhe ka pranuar 7 gola.
Në fakt, Liria ka fond më të mirë të futbollistëve, por Vëllaznimi ka treguar më shumë karakter dhe grintë. Se si do të përfundojë ky derbi i madh, mbetet të shihet të mërkurën me fillim nga ora 13:00. Humbja do ta dëmtonte rëndë Lirinë; Vëllaznimi edhe me një pikë mund të kënaqej.
Titujt:
1 Titull Kampioni – Liria (1994/95)
2 Trofe të Kupës Liria (2006/07 dhe 2009/10 kundër Vëllaznimit në finale)
1 Trofe të Kupës Vëllaznimi (2007/08) dhe tre finale të humbura