
Transferimi i Marc Guéhit te Liverpool, i cili dukej i siguruar dhe i mbyllur me sukses, është futur papritur në udhëkryq. Sipas raportimeve nga Anglia, Crystal Palace po mendon të tërhiqet nga marrëveshja me “The Reds” pasi transferimi i mbrojtësit brazilian Igor nga Brighton – i menduar si zëvendësues i Guéhit – ka dështuar në minutat e fundit.
Guéhi, për të cilin Liverpool ra dakord të paguajë rreth 41 milionë euro, kishte kryer tashmë vizitat mjekësore në Londër dhe ishte vetëm një hap larg nënshkrimit të kontratës afatgjatë me klubin e “Anfield”. Por kriza e papritur e Palace e ka vënë gjithçka në pikëpyetje.
Klubi londinez nuk dëshiron të mbetet pa shtyllën kryesore të mbrojtjes pa një alternativë të gatshme, ndaj po shqyrton seriozisht të prishë marrëveshjen, pavarësisht marrëveshjes së arritur me Liverpool dhe dëshirës së lojtarit për t’u transferuar.
Ky zhvillim i befasishëm i jep një tjetër dozë dramatizmi ditës së fundit të merkatos dhe mund të kthehet në një nga historitë më të bujshme të këtij afati, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e një prej mbrojtësve më të kërkuar në Premier League.
