Drita mund të përballet sërish me Differdange nëse eliminohet nga FCSB

Drita
Arb Manaj: Drita - Differdange 1-0

Ndërsa po zhvillohet ndeshja kthyese mes Dritës dhe FCSB-së në stadiumin “Fadil Vokrri”, është bërë e qartë se humbësi i këtij dueli do të ketë një tjetër mundësi në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës. Kundërshtari i mundshëm është një fytyrë e njohur për Dritën – skuadra Differdange nga Luksemburgu.

Differdange ka arritur një përmbysje spektakolare në transfertë ndaj Levadias së Estonisë, duke triumfuar 3-1 pas vazhdimeve (30 minuta shtesë). Pavarësisht humbjes 3-2 në takimin e parë, skuadra luksemburgase siguroi kualifikimin falë suksesit në ndeshjen e kthimit dhe do të përballet me humbësin e sfidës DritaFCSB.

Nëse Drita nuk arrin ta përmbysë rezultatin ndaj FCSB-së, atëherë do të rikthehet në përballje me Differdange – një kundërshtar të cilin e ka eliminuar më herët këtë sezon. Skuadra e Zekerija Ramadanit ka fituar të dyja takimet: 1-0 në Prishtinë dhe 3-2 në Luksemburg, duke kaluar me meritë më tej.

Rikthimi i mundshëm i këtij dueli shton interesin për zhvillimet e mbrëmjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Drita do ta mbajë gjallë ëndrrën europiane përmes kualifikimit apo përmes një deja vu-je ndaj Differdange.

Ndërsa fituesi i duelit të sotëm, takohet në Play-off të Ligës së Evropës përballë skocezëve të Aberdeen.