
Kampioni i Kosovës, Drita, zhvillon sonte në Luksemburg ndeshjen vendimtare ndaj Differdange 03, në kuadër të takimit të kthimit të raundit të parë të Ligës së Kampionëve.
Sfida do të luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, me fillim nga ora 20:00.
Ekipi nga Gjilani udhëton në këtë sfidë me një epërsi të vlefshme pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, ku goli i vetëm dhe vendimtar u realizua nga Arb Manaj, sulmuesi që u shpall hero i asaj mbrëmjeje.
Në takimin e parë, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani dha një paraqitje bindëse, duke dominuar pjesën më të madhe të lojës dhe duke krijuar më shumë raste të pastra. Tani, me objektiva të qartë, Drita synon të shkruajë historinë duke kaluar për herë të parë në raundin e dytë të këtij kompeticioni elitar evropian.
Një lajm pozitiv për ekipin bardhekaltër është rikthimi i kapitenit Rron Broja, i cili mungoi në sfidën e parë për shkak të pezullimit. Prania e tij pritet t’i japë më shumë qetësi dhe stabilitet repartit të mesfushës në këtë duel të vështirë në transfertë.
Kalimi tutje do të ishte një sukses historik jo vetëm për Dritën, por edhe për futbollin kosovar, i cili çdo vit synon të thyejë barriera të reja në arenën ndërkombëtare.
Gjithçka do të vendoset sonte në Luksemburg, ku 90 minutat e mbetura mbartin potencialin për të hapur një kapitull të ri për klubin gjilanas.