Nesër pritet një nga sfidat më interesante të javës së gjashtë në Superligën e Kosovës, aty ku kampionët në fuqi, Drita, do të përballen me tre herë kampionët paraprak, Ballkanin – skuadrën që synon rikthimin e titullit.
Drita vjen në këtë ndeshje pas fitores së parë sezonale, të arritur në javën e kaluar kundër Prishtinës së Re, çka i ka dhënë skuadrës qetësi dhe besim për të vazhduar më tej.
Maloku: Loja me Prishtinën e Re na dha qetësi
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, portieri i gjilanasve, Faton Maloku, u shpreh optimist për përballjen me kampionët nga Suhareka:
“Jemi munduar të përgatisim ndeshjen maksimalisht, si në aspektin psikik, fizik dhe taktik, duke respektuar skuadrën e Ballkanit. Presim me padurim takimin e nesërm për të dhënë maksimumin”, tha Maloku.
Ai shtoi se triumfi i fundit ka qenë një pikë kthese:
“Është e vërtetë që nuk kemi pasur një start të mirë, por fitorja e fundit na solli qetësi. Shpresoj që prej tash e tutje të marrim rezultate pozitive, sigurisht edhe me pak më shumë fat.”
Ramadani: Ballkani rival direkt për objektivat tona
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e cilësoi Ballkanin si rival direkt për synimet e klubit këtë sezon.
“Jam i bindur që edhe këtë vit Ballkani do të jetë një rival i drejtpërdrejtë për objektivat tona. Ka cilësi, si në aspektin kolektiv ashtu edhe individual, por unë gjithmonë mbështetem te ekipi im dhe te kualiteti ynë. Ne futemi në çdo ndeshje për të marrë tre pikë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivat”, tha Ramadani.
Ai theksoi se përballja do të jetë e vështirë, por ekipi është i motivuar:
“Kemi analizuar skuadrën kundërshtare, e cila është në formë të shkëlqyer. Ne kemi punuar për ta ndalur si skuadër dhe jo vetëm individët. Nëse fitojmë, kjo nuk do të thotë që kemi siguruar titullin, ashtu siç një humbje nuk do të thotë që kemi humbur kampionatin. Kemi futbollistë me përvojë që ndihmojnë edhe mua për të kaluar sfidat si në aspektin fizik, ashtu edhe psikologjik.”
Ramadani e mbylli fjalën e tij me një zotim:
“Ekipi do të japë atomin e fundit në fushë për të arritur objektivat tona.”
