Drita përforcon mbrojtjen me Jorgo Pëllumbin

Jorgo Pëllumbi
Jorgo Pëllumbi

Drita ka bërë zyrtar afrimin e mbrojtësit shqiptar Jorgo Pëllumbi, një transferim i shumëpërfolur që u konkretizua gjatë pauzës së ndeshjeve të kombëtareve.

“FC Drita me kënaqësi njofton afrimin e lojtarit të ri në radhët e saj, mbrojtësin shqiptar Jorgo Pëllumbi. 25-vjeçari, i cili ka përvojë në kampionatin shqiptar, kroat e hungarez, i bashkohet klubit tonë për të forcuar repartin defansiv. Pëllumbi është gjithashtu ish-përfaqësues i Shqipërisë U21 dhe njihet për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në fushë. FC Drita e mirëpret Jorgo Pëllumbin në familjen bardhekaltër dhe i dëshiron shumë suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tij”, thuhet në komunikatën e klubit.

jorgo pëllumbi
jorgo pëllumbi

Pëllumbi vjen pas një periudhe si lojtar i lirë, pasi verën e këtij viti u largua nga Debrecen në Hungari, ndërsa më herët ka qenë pjesë e NK Varaždin në Kroaci dhe FK Kukësit në Shqipëri. Karrierën e ka nisur te Skënderbeu, ku u rrit nga skuadrat e moshave deri te ekipi i parë. Në aspektin ndërkombëtar, ai ka qenë pjesë e përfaqësueses shqiptare U21, ku ka zhvilluar 5 ndeshje zyrtare.

Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm për gjilanasit, të cilët kërkojnë të forcojnë prapavijën dhe të rrisin konkurrencën në skuadër për garat vendore dhe ato ndërkombëtare.