Dyshja Bujupi me paraqitje të suksesshme në Evropë – Drejtojnë sfidën Cassano Magnago – KRAS/Volendam në Itali

Genc dhe Getoar Bujupi
Genc dhe Getoar Bujupi

Hendbolli mund të mos jetë ndër sportet më të financuara në Kosovë – ndoshta i katërti për nga përkrahja – por përfaqësimi i tij në arenën ndërkombëtare është i qëndrueshëm dhe në rritje të vazhdueshme.

Kësaj radhe, dy gjyqtarët kosovarë Genc dhe Getoar Bujupi, të licencuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës dhe me thirrje të Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), patën një tjetër angazhim të rëndësishëm jashtë vendit.

Ata drejtuan ndeshjen dramatike të raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbollistë, ndërmjet skuadrës italiane Cassano Magnago dhe asaj holandeze KRAS/Volendam, e cila u zhvillua në Itali dhe përfundoi baras, 29:29. Përballja u vendos në minutat e fundit dhe, falë fitores minimale në ndeshjen e parë (29:28), skuadra italiane Cassano Magnago siguroi kalimin në fazën tjetër të garës.

Ky është një tjetër tregues i besimit që strukturat evropiane kanë ndaj gjyqtarëve kosovarë, veçanërisht ndaj dyshes Bujupi, të cilët tashmë janë prezencë e rregullt në skenën ndërkombëtare të hendbollit, duke përfaqësuar me dinjitet Kosovën.