Edon Maxhuni 5 pikë dhe 2 asistime, Finlanda shkatërron Britaninë e Madhe në Eurobasket 2025

Finlanda regjistroi fitoren e dytë radhazi në Eurobasket 2025, duke mposhtur me rezultat të thellë 109–79 përfaqësuesen e Britanisë së Madhe në ndeshjen e vlefshme për Grupin B.
Heroi i ndeshjes ishte sërish ylli i NBA-së, Lauri Markkanen, i cili shpërtheu me 43 pikë të realizuara, prej të cilave 29 vetëm në pjesën e parë. Me lojën e tij dominuese, ai udhëhoqi Finlandën drejt një epërsie të sigurt që nga minuta e parë, duke i dhënë publikut vendas në Tampere një shfaqje të paharrueshme. Ndërsa Edon Maxhuni i cili luajti mbi 10 minuta ka shënuar 5 pikë dhe 2 asistime.
Britania e Madhe, në anën tjetër, nuk mundi të mbante ritmin, duke treguar limite në të dyja anët e parketit. Më i dalluari për anglezët ishte Luke Nelson me 12 pikë, por pa ndikim të madh në rrjedhën e lojës.
Finlanda në krye me Lituaninë dhe Gjermaninë
Pas dy xhirove të para, Finlanda, Lituania dhe Gjermania ndajnë kreun e Grupit B me nga dy fitore, ndërsa Suedia, Mali i Zi dhe Britania e Madhe mbeten pa fitore, me nga dy humbje secila.
Finlanda po konfirmohet si një nga skuadrat më atraktive të këtij edicioni, me një stil të shpejtë dhe të sigurt, të udhëhequr nga një Markkanen në superformë.
