Edon Zhegrova (26 vjeç) duket i destinuar të largohet nga Lille OSC, pasi presidenti i klubit, Olivier Létang, ka bërë të ditur se klubi nuk ka ndërmend ta mbajë lojtarin pas këtij sezoni. Futbollisti ynë, i cili u transferua në vitin 2022 nga Basel, ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u larguar drejt një projekti të ri, apo siç ka deklaruar ai, drejt një klubi “më të madh”.
Në një konferencë për shtyp, Létang shpjegoi qëndrimin e Lille lidhur me yllin tonë:
“Edoni ka shprehur dëshirën për t’u larguar. Nuk më duket e përshtatshme ta mbajmë me një vit kontratë në fuqi në këtë kontekst ekonomik të futbollit francez. Largimi i tij është diçka që e presim.”
Në këtë kuadër, Létang shtoi se pavarësisht se Lille ka firmosur me Marius Broholm, klubi do të kërkojë një anësor të ri për të patur të paktën katër lojtarë në krahë:
“Nëse Edoni do të qëndronte, do të kishim katër lojtarë në krahë. Nëse Edoni largohet, duhet të gjejmë një të katërt. Kemi kontakte. Ekipet e mëdha evropiane zakonisht kanë të paktën katër anësorë për të bërë konkurencën”
Deri më tani është përfolur për transferin e Zhegrovës në Itali, është folur shumë kampionët aktual Napoli, kurse përflitet edhe Milan dhe Atalanta.
Newcastle dhe Everton ndër klubet e interesuara për Edon Zhegrovan
Sipas SciSports, Newcastle United dhe Everton janë ndër klubet që kanë shprehur interes për mesfushorin kosovar, Edon Zhegrova.
Megjithatë, ndërsa Napoli kishte shfaqur më parë interes për Zhegrovan, përpjekjet e tyre kanë dështuar. Tani lojtari ka disa pretendues të tjerë, duke përfshirë edhe Atalantën.
Interesi më i fuqishëm raportohet se vjen nga Italia, ku Zhegrova vlerësohet në rreth 20 milionë euro dhe shihet si një opsion më i përballueshëm për klubet që e kërkojnë.
Gjithashtu, SciSports nënvizon se Bayer Leverkusen, Juventus dhe Napoli janë klubet që mund të kenë vend për një lojtar si Zhegrova në radhët e tyre.
Be the first to comment