Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të hënën seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet vendimtare të muajit nëntor në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Franco Foda: Ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, vendimtare për ëndrrën e play-offit
Pas konferencës për shtyp të përzgjedhësit Franco Foda në mesditë, dhjetë futbollistët e parë të grumbulluar iu nënshtruan një seance të lehtë stërvitore, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fillimisht ishte paraparë që stërvitja të mbahej në Kompleksin Sportiv të Hajvalisë, por për shkak të reshjeve të shiut dhe gjendjes së rënduar të fushës në Kompleksin Kombëtar, ajo u zhvendos në stadiumin kryesor të kryeqytetit.
Në mesin e futbollistëve të pranishëm ishin: Fisnik Asllani, Visar Bekaj, Faton Maloku, Edon Zhegrova, Valon Berisha, Milot Rashica, Ilir Krasniqi, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha dhe Leard Sadriu.
Kosova po hyn në fazën më të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kupën e Botës 2026, me dy përballje kyçe përpara: më 15 nëntor kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe më 18 nëntor kundër Zvicrës në Prishtinë.
Në konferencën për media të mbajtur më herët gjatë ditës, përzgjedhësi Franco Foda theksoi rëndësinë e këtyre sfidave, formën e lojtarëve dhe shpresat për një përfundim pozitiv të këtij cikli.