Kalo te përmbajtja
Sunday, 21 June 2026
KF Llapi

Ekskluzive: Muhamet Hyseni rikthehet te Llapi

Sulmuesi kosovar Muhamet Hyseni pritet të rikthehet në radhët e Llapit si huazim njëvjeçar nga klubi danez AC Horsens.

Burime të sigurta konfirmojnë ekskluzivisht për Kërlaçkin se marrëveshja është arritur dhe zyrtarizimi do të bëhet së shpejti.

Sipas marrëveshjes, paga e lojtarit do të mbulohet në mënyrë të barabartë, gjysmën do ta paguajë Llapi dhe gjysmën tjetër Horsens, ndërkohë që rikthimi i tij shihet si një përforcim i madh për klubin podujevas që synon të jetë protagonist në elitën e futbollit kosovar.

Hyseni u transferua nga Llapi te Horsens në janar të vitit 2024 kur kartoni i tij vlerësohej rreth 700.000 euro.

Para këtij transferimi, ai kishte kaluar nga Feronikeli 74 te Llapi në korrik të vitit 2023 si lojtar i lirë, ndërsa një vit më herët kishte kaluar nga Malisheva te Feronikeli 74 po ashtu me transferim të lirë, kurse vlera e tij e tregut atëkohë ishte 75 mijë euro.

Karriera e tij kishte nisur më herët me Llapin, në vitin 2018, pas një periudhe të shkurtër te Sh.F. Kurda, prej nga ishte transferuar si lojtar i lirë.

Ky rikthim pritet të ngjallë interes të madh te tifozët e Llapit, duke qenë se Hyseni ka qenë një prej futbollistëve më të spikatur të skuadrës bardhekaltër para largimit drejt Danimarkës.