Elbasani vijon momentin e artë në kampionat duke regjistruar fitoren e katërt radhazi, këtë herë përballë kampionëve në fuqi të Egnatias. Në përballjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, verdheblutë triumfuan me rezultatin 1-0, falë një goli me kokë nga Tsague në minutën e 66-të, pas një harkimi perfekt nga Loukili.
Sfida u karakterizua nga një ritëm i lartë dhe një atmosferë elektrizuese në stadium, ku tifozët vendas ndezën ndeshjen me flakadanë dhe fishekzjarre. Elbasani kishte mundësi për të dyfishuar rezultatin, sidomos në minutën e 70-të, kur Lajthia goditi fuqishëm, por pa saktësi.
Egnatia mbeti me një lojtar më pak që në fillim të pjesës së dytë, pasi Haime u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 47-të, vendim i konfirmuar edhe nga VAR. Pavarësisht përpjekjeve, rrogozhinasit nuk arritën të gjenin rrjetën, duke pësuar humbjen e dytë sezonale.
Ndërkohë, në Durrës, Partizani riktheu buzëqeshjen, duke mposhtur Teutën me rezultatin 2-3, në një sfidë plot emocione dhe përmbysje. Edhe pse të kuqtë mbetën me 10 lojtarë pas ndëshkimit të Kontreras me karton të kuq në minutën e 75-të, sulmuesi ishte heroi i ndeshjes duke realizuar dy gola (58’ dhe 66’).
Teuta e mbylli pjesën e parë në avantazh të dyfishtë falë golave të Maçollit dhe Tolit (32’ dhe 40’), por nuk arriti të përballojë presionin e Partizanit në pjesën e dytë. Përveç dy golave të Kontreras, të kuqtë patën rastin të përmbysin plotësisht rezultatin me një penallti të fituar në minutën e 82-të, që përfundoi në rrjetë duke i dhënë tre pikë të arta skuadrës së Ilir Dajës.
Me këtë fitore, Elbasani ngjitet në krye të renditjes krah për krah me Vllazninë, ndërsa Partizani ndal një seri negative prej tri ndeshjesh pa fitore dhe konfirmon potencialin për të qëndruar në garë për titullin.