Në turneun ndërkombëtar të futbollit për moshat e reja Elite Neon Cup 2025, që po zhvillohet në Athinë të Greqisë, ekipet e Prishtinës U10 dhe Shkupit U10 kanë shkëlqyer me nga dy fitore në po aq ndeshje, duke siguruar plasmanin në mesin e 16 skuadrave më të mira.
Prishtina U10 – dy fitore bindëse ndaj skuadrave greke
Skuadra U10 e Prishtinës ka mposhtur fillimisht Kifisian e Greqisë me rezultat 5-1. Në këtë ndeshje shkëlqeu Mal Tmava me dy gola, ndërsa Unik Morina, Nil Dedinca dhe Alton Hasani shënuan nga një herë. Në ndeshjen e dytë, Prishtina triumfoi ndaj Agon FC po ashtu nga Greqia me rezultatin 4-2. Këtë herë protagonist ishte Nil Dedinca me dy gola, ndërsa Art Kelmendi dhe Alton Hasani kontribuan me nga një gol. Prishtina nesër përballet me AEL Limassol në ndeshjen e tretë të grupit dhe në rast fitores kualifikohet në mesin e 16 më të mirave.
Shkupi U10 – formë brilante dhe gola të shumtë
Shkupi U10 po ashtu ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme. Në ndeshjen e parë fitoi 5-1 ndaj PAS Athinon. Alman Seferi shënoi dy herë, ndërsa Atik Hakiu, Metin Sinani dhe Aiman Zekiri nga një herë. Në ndeshjen e dytë, Shkupi dominoi ndaj Atlas FC duke fituar me rezultat të thellë 10-0. Katër dygolësha u regjistruan në këtë ndeshje: Rron Aliju, Dijon Bardhi, Atik Hakiu dhe Aiman Zekiri, ndërsa Metin Sinani dhe Ylli Kamberi realizuan nga një gol. Shkupi nesër do të përballet me CS Carpen nga Moldavia, që po ashtu ka gjashtë pikë dhe fituesi i kësaj përballjeje dërgon në 16 më të mirat.
Drita U12 – dy humbje në start, përballje me Chelsean në vijim
Ndryshe ka qenë rrugëtimi për Dritën U12, e cila ka pësuar dy humbje në grup. Në ndeshjen e parë u mposht 4-0 nga Isport Valcea e Rumanisë, ndërsa në takimin e dytë pësoi 2-1 nga Pathiakakis FC i Greqisë. Golin e vetëm për Dritën e realizoi Daris Hasani. Ndeshja e radhës për Dritën do të jetë një sfidë prestigjioze ndaj gjigantit anglez Chelsea, të cilën do ta zhvillojë nesër në orën 08:00 të mëngjesit.