Screenshot 2025-10-03 111404

Gjyqtari shqiptar Enea Jorgji dhe sistemi VAR ishin protagonistë në ndeshjen mes Viktoria Plzen dhe Malmos, e vlefshme për raundin e dytë të Ligës së Europës, që u mbyll me fitoren 3:0 të çekëve.

Takimi u gjykua nga një katërshe shqiptare, me Jorgjin në fushë dhe asistentët e tij, ndërsa në dhomën e VAR ishte italiani Luca Pairetto, i cili ndërhyri dy herë në vendimmarrje. Ndeshja u shënua nga plot tre kartonë të kuq, duke e bërë një rast të veçantë në mbrëmjen e garave europiane.

Rasti i parë ndodhi në minutën e 39-të, kur Johnsen i Malmos u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën suedeze me një lojtar më pak. Superioriteti numerik u shfrytëzua nga Plzen, që e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:0.

JORGJI

Në pjesën e dytë, kur çekët kishin realizuar edhe golin e tretë, Jorgji u thirr nga VAR për të parë një faull të rëndë të Doskit të Plzen. Pas shqyrtimit në monitor, gjyqtari shqiptar nuk hezitoi të akordonte karton të kuq direkt, duke barazuar numrin e lojtarëve në fushë.

Episodi i tretë erdhi në minutën e 96-të, kur Gudjohnsen i Malmos shkaktoi një ndërhyrje të gabuar dhe pas konsultimit me VAR u përjashtua nga loja. Suedezët e mbyllën ndeshjen me vetëm nëntë lojtarë në fushë.

Ajo që bie në sy është fakti se nga gjithsej 19 ndeshje të zhvilluara mbrëmë në Ligën e Europës, vetëm në këtë takim u akordua karton i kuq – madje jo një, por tre herë. Një statistikë e rrallë që e vendosi ndeshjen Plzen – Malmo në qendër të vëmendjes.