
Pas incidenteve të rënda që ndodhën gjatë ndeshjes së javës së 7-të në Superligë ndërmjet Ferizajt dhe Prishtinës (0-5), klubi ferizajas ka reaguar me një komunikatë zyrtare, ku shpreh shqetësimin për dhunën e ushtruar nga tifozët mysafirë dhe kërkon masa të menjëhershme nga institucionet.
Sipas njoftimit të klubit, trazirat shpërthyen në fillim të takimit të luajtur më 28 shtator, kur një grup huliganësh nga tifo-grupi prishtinas “Plisat” sulmuan brenda dhe jashtë perimetrit të stadiumit. Sipas FC Ferizaj, kërkesa për praninë e tifozëve mysafirë ishte dorëzuar me vonesë nga FC Prishtina – më 27 shtator në orën 18:43 – ndërsa Ferizaj kishte refuzuar, duke njoftuar se ishte e pamundur të organizohej siguria në kohë.
Përveç komunikimit me Prishtinën dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), FC Ferizaj deklaron se i kishte kërkuar edhe Policisë së Kosovës vendosjen e masave shtesë të sigurisë për të parandaluar incidentet.
Megjithatë, situata doli jashtë kontrollit. Klubi pretendon se tifozët prishtinas arritën te hyrja e stadiumit dhe, pavarësisht ndërhyrjes së policisë, sulmuan dy punonjës të shitjes së biletave, duke i lënë ata të lënduar rëndë. Dhuna më pas përfshiu edhe përleshje me policinë dhe tifozët vendas, ku u përdorën shkopinj druri e metali, armë të ftohta, kokteje molotovi dhe fishekzjarrë. Incidentet shkaktuan dëme materiale të mëdha dhe dëmtim të disa automjeteve të parkuara.
FC Ferizaj e dënoi ashpër dhunën, duke e quajtur të papranueshme për sportin dhe kërkoi nga autoritetet identifikimin dhe ndëshkimin e të përfshirëve.
“Futbolli është sport i dashurisë dhe respektit, jo i dhunës”, përfundon reagimi i klubit ferizajas.