FC Prishtina të ketë kujdes: Sherrifi Tiraspoli e nis frikshëm, sulmuesi shqiptar i tyre bën ‘boom’

Kundërshtari i FC Prishtinës në raundin e parë të Ligës së Evropës, Sheriff Tiraspol, ka nisur kampionatin moldav në mënyrë imponuese, duke dhënë sinjale të qarta se është në formë të lartë para përballjes europiane.
Nënkampioni i Moldavisë ka regjistruar tri fitore në po aq ndeshje, duke grumbulluar 9 pikë, shënuar 11 gola dhe pësuar vetëm dy.
Fillimisht, Sheriff triumfoi si mysafir ndaj Politehnica UTM me rezultat 4:0, më pas mposhti Spartën Selemet 5:1, dhe në fund fitoi edhe derbin ndaj Milsamit me rezultat 2:1.

Në radhët e Sheriffit luajnë dy futbollistë shqiptarë: mbrojtësi Alesio Mija dhe sulmuesi Amarlindo Gjoni, transmeton Kërlaçki.com.
Ky i fundit është shfaqur si një ndër pikat më të forta të skuadrës, duke realizuar tre gola në dy ndeshje dhe duke u konfirmuar si lojtari më efikas i ekipit në këtë fillim sezoni.
Pikërisht Gjoni pritet të jetë rreziku kryesor për mbrojtjen e Prishtinës në dy përballjet që i presin skuadrat.

Fituesi i Kupës së Kosovës do të përballet me Sheriffin të enjten, më 10 korrik, në ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Tiraspol, ndërsa takimi i kthimit luhet pas një jave në Prishtinë.
Prishtina duhet të jetë e përgatitur për një sfidë të vështirë, pasi përballë ka një kundërshtar që jo vetëm dominon në kampionat, por që vjen edhe me përvojë të pasur në garat evropiane.
