Kalo te përmbajtja
Dienstag, 4 August 2026
Futboll Vendi

FFK po vazhdon projektin: Talent Development Scheme duke përfshi gjeneratat 2011–2014

Federata e Futbollit e Kosovës po e vazhdon projektin zhvillimor “Talent Development Scheme – TDS”, i cili tashmë tri vite ka për qëllim mbështetjen e vajzave të reja në futboll.

Këtë vit, programi përfshin futbollistet e lindura në vitet 2011, 2012, 2013 dhe 2014, duke u fokusuar në talentet e reja që përbëjnë bazën e së ardhmes së futbollit të vajzave.

Nga FFK kanë bërë të ditur aktivitetin, ku përgjegjësja e projektit, Sanije Krasniqi, vuri në dukje rëndësinë e këtij programi:

“Ky projekt i ndihmon lojtaret e reja të zhvillohen në mënyrë sa më të plotë, jo vetëm si futbolliste, por edhe në aspektin fizik, psikologjik, social, teknik e taktik. Ne jemi shumë të lumtur që kemi një numër kaq të madh vajzash të angazhuara në këtë projekt. Gjithçka realizohet në bashkëpunim me klubet e futbollit të vajzave, me të cilat jemi vazhdimisht në kontakt, me synim të masivizimit të futbollit”, u shpreh ajo.

Entuziazmi i lojtareve të reja është i dukshëm. Era Sopi, një prej pjesëmarrëseve, ndau përvojën e saj pozitive:

“Jemi duke kaluar shumë mirë. Është dita e dytë e stërvitjeve dhe kam pasur mundësi të takoj shumë lojtare nga të gjitha ekipet në Kosovë. Kam qenë pjesë e këtij projekti për një vit dhe më ka ndihmuar shumë në përmirësimin e lojës sime.”

Me këtë projekt, FFK-ja po synon rritjen e cilësisë së lojtareve të reja, por edhe krijimin e një baze për të ardhmen e futbollit të vajzave në vend.

Gjatë këtyre ditëve, trajneret e përfshira në programin TDS do të përzgjedhin nga 23 talente për secilën gjeneratë, me të cilat do të punojnë deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.