FFK prezanton sistemin e ri digjital “My FFK” – Prezent vetëm një llaptop nga delegatët?!

FFK-Delegatët
FFK-Delegatët

Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot një takim me delegatët e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë, në prag të fillimit të edicionit të ri që nis më 16 gusht. Në këtë takim morën pjesë Abdyl Bellopoja, kryetar i Komisionit të Garave, Agron Shosholli, administrator i të dy ligave, dhe Dardan Sadiku, përgjegjës i Teknologjisë Informative në FFK, informon FFK, përcjellë Kërlaçki.

Në qendër të diskutimeve ishte prezantimi i sistemit të ri digjital “My FFK”, i cili do të hyjë në përdorim të plotë që nga fillimi i sezonit të ri. Ky sistem synon të rrisë efikasitetin, transparencën dhe saktësinë në procesin e raportimit të ndeshjeve, por nga fotografia e takimit, ironikisht mungon teknologjia, askush veç një delegati, nuk kanë llaptop, por as fletore për të mbajtur shënime.

FFK
FFK

Ndërsa, Dardan Sadiku, si mbikëqyrës i këtij sistemi, u shpjegoi delegatëve funksionalitetet dhe procedurat e raportimit përpara dhe pas ndeshjeve, si dhe mënyrat për përdorim sa më efikas të tij.

Implementimi i “My FFK” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të plotë të proceseve brenda Federatës, duke përmirësuar ndjeshëm komunikimin dhe raportimin ndërmjet delegatëve, klubeve dhe FFK-së. Me angazhimin e të gjitha palëve, synohet të arrihen standarde më të larta në organizimin e garave, por sa janë përshtatur vetë delegatët, sidomos ata në moshë, mbetët të shihet pas fillimit të kampionatit.

Gjatë takimit, një prezantim shtesë u mbajt edhe nga Sanije Krasniqi, shefe e Departamentit të Edukimit në FFK, e cila informoi delegatët për procedurat që lidhen me licencimin e trajnerëve dhe mënyrën e ndjekjes së këtyre proceseve përmes sistemit të ri.