Federata e Futbollit e Kosovës ka dorëzuar një notë proteste zyrtare në UEFA dhe Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF), pas një veprimi që e konsideron ofendues dhe të papranueshëm nga ana e homologes spanjolle.
Në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2027 të skuadrave U21 mes Kosovës dhe Spanjës, RFEF në komunikimet e saj zyrtare iu referua Kosovës si “Territori i Kosovës”, duke mohuar kështu në mënyrë të hapur statusin shtetëror të Kosovës.
Reagimi i FFK-së ka ardhur përmes një letre zyrtare të nënshkruar nga presidenti Agim Ademi, drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, dhe homologut të tij në RFEF, Rafael Louzan. Në letër, Ademi kërkon reagim të menjëhershëm dhe korrigjim publik nga ana e Federatës Spanjolle.
Letra e plotë e kryetarit Ademi:
“Në këtë periudhë të ngarkuar, do të preferoja të adresoja çështje më konstruktive për të ardhmen e futbollit evropian. Por, për fat të keq, sërish jam i detyruar të ngre një problem që dëmton përfaqësimin tonë në garat evropiane – mënyra si disa federata trajtojnë ekipet tona kombëtare”, ka shkruar Ademi.
“Federata e Futbollit të Spanjës në kanalet e saj zyrtare iu referua Kosovës si ‘Territori i Kosovës’. Kjo qasje mohon sovranitetin e një shteti të pavarur dhe anëtari të barabartë të UEFA-s. Nuk është hera e parë që ndodh kjo nga RFEF, dhe ne e konsiderojmë këtë tërësisht të papranueshme.”
“UEFA është ndërtuar mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia mes anëtarëve të saj – këto nuk duhet të respektohen vetëm në veprime, por edhe në fjalë.”
Në përmbyllje, Ademi thekson:
“Kërkojmë reagim të qartë dhe të menjëhershëm nga UEFA, si dhe korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me parimet e UEFA-s. Kosova duhet të trajtohet si anëtare e barabartë – jo vetëm nga UEFA, por nga çdo federatë kombëtare.”