Finalja e madhe në US Open: Jannik Sinner përballet me Carlos Alcaraz për titull dhe vendin e parë në botë

#post_seo_title

US Open do të mbyllet me një përballje gjigantësh, ku në finale do të takohen dy tenistët më të mirë aktualë në botë: Jannik Sinner (ATP nr. 1) dhe Carlos Alcaraz (ATP nr. 2).

Sinner siguroi finalen pasi mposhti kanadezin Felix Auger-Aliassime me rezultatin 6:1, 3:6, 6:1, 6:4. Në anën tjetër, Alcaraz eliminoi Novak Djokovic-in në gjysmëfinale me shifrat 6:4, 7:6, 6:2.

Kjo do të jetë finalja e tretë radhazi e një Grand Slam-i mes dy yjeve të rinj të tenisit botëror brenda vetëm tre muajve. Alcaraz triumfoi në Roland Garros, ndërsa Sinner fitoi titullin në Wimbledon.

 

Italiani 24-vjeçar ka bërë histori këtë vit, duke u bërë vetëm lojtari i katërt ndonjëherë, pas Rod Laver, Roger Federer dhe Novak Djokovic, që arrin të gjitha finalet e katër Grand Slam-eve brenda një sezoni kalendarik. Gjithashtu, ai është më i riu që e arrin këtë sukses.

Finalja në “Arthur Ashe Stadium” nuk do të vendosë vetëm fituesin e US Open-it, por edhe se kush do të mbajë fronin e ATP-së.

Nëse Alcaraz fiton, ai do të ngjitet në vendin e parë botëror, duke e rrëmbyer atë nga Sinner. Kjo do të ishte edhe titulli i tij i dytë në US Open dhe Grand Slami i gjashtë në karrierë.

Nëse Sinner triumfon, ai do të mbetet tenisti nr. 1 në botë, duke fituar për herë të dytë US Open-in dhe Grand Slam-in e pestë gjithsej.

 

Në ndeshjet kokë më kokë, spanjolli kryeson 9:5 ndaj italianit, çka e bën këtë duel edhe më të zjarrtë.

Finalja e US Open mes Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz zhvillohet të dielën nga ora 20:00