Fisnik Asllani e nis fuqishëm me Hoffenhiemin, dy ndeshje – dy gola

Fisnik Asllani

Sulmuesi i talentuar Fisnik Asllani vazhdon të tregojë formë të lartë në përgatitjet verore me Hoffenheimin. Ai realizoi një tjetër gol në miqësoren ndaj Darmstadtit, ku skuadra e tij triumfoi bindshëm me rezultat 5:1.

Asllani zhbllokoi ndeshjen që në minutën e nëntë, duke dëshmuar sërish efikasitetin e tij para portës.

Ky është goli i dytë radhazi për 22-vjeçarin, i cili shënoi edhe në miqësoren e kaluar ndaj 08 Homburgut.

 

Krahas tij, nga minuta e parë u aktivizua edhe mesfushori me tipare mbrojtëse, Leon Avdullahu, një tjetër emër premtues nga Kosova në radhët e Hoffenheimit.

Pak ditë më parë, Asllani rinovoi kontratën me gjigantin gjerman deri në verën e vitit 2029, si shpërblim për sezonin e jashtëzakonshëm që pati gjatë huazimit te Elversberg në Bundesliga 2, ku regjistroi 18 gola dhe 9 asistime.

Anëtari i përfaqësueses së Kosovës numëron 7 paraqitje dhe një gol me fanellën dardane, ndërsa forma e tij aktuale është sinjal pozitiv për sfidat që e presin në sezonin e ri.