
Pas triumfit 1-0 ndaj Suedisë në Goteborg, media ndërkombëtare ka reaguar gjerësisht duke theksuar ndikimin e kësaj fitoreje për fatin e të dyja kombëtareve në eliminatoret për Kupën e Botës 2026.
The Guardian (Angli): “Suedia në prag eliminimi pas humbjes nga Kosova”
Gazeta prestigjioze britanike e përshkruan rezultatin si një goditje fatale për shpresat e Suedisë, ndërsa nënvizon se fitorja e Kosovës mban të gjalla shpresat për një vend në “playoff”.
“Fisnik Asllani shënoi një gol në pjesën e parë që i dha Kosovës një fitore të madhe në Goteborg – fitorja e dytë radhazi ndaj Suedisë, pas triumfit 2-0 në Prishtinë”, shkruan The Guardian.
Suedia mbetet në fundin e Grupit B me vetëm një pikë, pavarësisht se në sulm kishte emra si Alexander Isak dhe Viktor Gyökeres. Liderët e grupit, Zvicra, u ndalën në barazim pa gola nga Sllovenia.
Reuters: “Ëndrrat e Suedisë për Botëror praktikisht të shkatërruara”
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportoi se humbja e tretë në kualifikime për Suedinë e la thuajse jashtë garës për Botëror, duke shtuar presionin ndaj trajnerit Jon Dahl Tomasson.
“Kosova është tani në vendin e dytë me 7 pikë, tri më pak se Zvicra. Fitorja e tyre historike u vulos nga goli i parë ndërkombëtar i Asllanit pas një aksioni të bukur me Muriqin dhe Hoxhën. Suedia dominoi me topin në pjesën e dytë, por nuk arriti të shënojë”, raportoi Reuters.
Shtypi serb: “Dy shuplaka të dhimbshme – nga Shqipëria dhe ‘të ashtuquajtura’ Kosova”
Mediat serbe kanë reaguar me zhgënjim dhe zemërim të madh, duke vënë theksin te eliminimi pothuajse i sigurt i Serbisë nga gara për Kupën e Botës – edhe si pasojë e fitores së Kosovës ndaj Suedisë.
“Pas shuplakës nga Shqipëria, erdhi edhe ajo nga ‘të ashtuquajtura’ Kosova. Tani as përmes Ligës së Kombeve nuk kemi më shpresa për kualifikim”, shkruan Telegraf.rs.
Sipas tyre, rezultati i Kosovës e shkatërroi edhe atë pak shpresë të mbetur për Serbinë, pasi Suedia – që duhej të mbetej në vendet e para për t’i ndihmuar matematikisht – është tashmë jashtë garës, ndërsa Kosova është afër sigurimit të një prej dy vendeve të para në grup.
“Kosova ka përpara një finale me Zvicrën në Prishtinë dhe është në prag të një kualifikimi historik”, shton Telegraf.rs.