
Sulmuesi i njohur suedez, Alexander Isak, ka reaguar pas humbjes së kombëtares së tij ndaj Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Dardanët arritën një fitore historike në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke mposhtur Suedinë me rezultat 2-0, falë golave të Elvis Rexhbecajt dhe Vedat Muriqit në pjesën e dytë të takimit.
Isak, i cili pak ditë më parë kompletoi transferimin e tij rekord te Liverpooli në Premier League, e pranoi se kjo disfatë ishte shumë e vështirë për t’u pranuar, duke e cilësuar edhe paraqitjen e ekipit si zhgënjyese.
“Një humbje e vështirë. Është e qartë se po performojmë dobët”, tha fillimisht Isak për Viaplay.
“Pas një humbjeje si kjo, nuk ndihesh mirë. Jemi këtu me ekipin kombëtar dhe kemi pasur një ditë të vështirë dhe një humbje të vështirë. Atje qëndrojnë emocionet”, përfundoi ylli i Liverpoolit.