Florian Haxha mungon në grumbullimin e Kosovës – FFK konfirmon largimin për arsye shëndetësore

Florian Haxha
Florian Haxha

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se Florian Haxha nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të përfaqësueses për ndeshjet miqësore kundër Sllovenisë dhe Suedisë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Anësori i djathtë me tipare sulmuese, që aktivizohet në elitën e futbollit polak me ekipin Motor Lublin, ishte mes emrave të përfshirë në listën e përzgjedhur nga trajneri Franco Foda.

“Florian Haxha nuk grumbullohet me Kombëtaren për shkak të gjendjes shëndetësore,” – thuhet në njoftimin e FFK-së, ndërsa Kombëtarja vazhdon përgatitjet sot me seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 16:30.

Haxha, i lindur në Berlin dhe produkt i akademisë së Hertha II Berlin, ka qenë pjesë e grupmoshave të Kosovës U17 dhe U21, ndërsa për ekipin A ka regjistruar dy paraqitje në vitin 2025, në miqësoret kundër Armenisë dhe Komoreve, duke hyrë si zëvendësues në të dyja takimet.

Futbollisti 23-vjeçar ishte në qendër të kritikave në rrjetet sociale pas ftesës së tij nga Foda. Shumë tifozë e konsideruan përzgjedhjen të nxituar, duke marrë parasysh mungesën e minutazhit të tij këtë sezon.

Ai ka luajtur vetëm 58 minuta në total për Motor Lublin në tri ndeshje zyrtare – dy në kampionat dhe një në Kupë. Para transferimit në Poloni në janar 2025, ishte pjesë e Kapfenbergut në Ligën e Dytë të Austrisë, ku regjistroi 55 paraqitje, 6 gola dhe 15 asistime.

Mbetet për t’u parë nëse Haxha do të rikthehet në planet e trajnerit në të ardhmen, por për momentin, përfaqësuesja do të duhet të vazhdojë pa të në dy sfidat e këtij muaji.