Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Daku udhëheq sulmin, mbrojtja nuk ndryshon

Kombëtarja e Shqipërisë zhvillon sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, teksa përballet me Serbinë në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit.

Kuqezinjtë kërkojnë vetëm fitore për të mbetur në garë për kualifikim, ndërsa atmosfera në kampin shqiptar është pozitive dhe e mbushur me besim.

Trajneri Sylvinho ka mbajtur të premten seancën e fundit stërvitore, ku ka testuar disa variante taktike, por mbetet me pak dilema në lidhje me formacionin që do ta nisë nga minuta e parë.

Sylvinho
Sylvinho

Në portë pritet të jetë Thomas Strakosha, ndërsa në mbrojtje katërshja e njohur me Elseid Hysajn në të djathtë, Mario Mitajn në të majtë dhe dyshen qendrore Berat Gjimshiti – Arlind Ajeti.

Në mesfushë, Ylber Ramadani pritet ta nisë nga stoli, ndërsa vendin e tij mund ta marrë Qazim Laçi, i cili do të formojë tripikëshin qendror me Juljan Shehun dhe Kristjan Asllanin.

Në sulm, Mirlind Daku do të udhëheqë repartin ofensiv, i mbështetur nga Armando Broja në të djathtë dhe Myrto Uzuni në të majtë – një treshe që pritet të jetë arma kryesore e kuqezinjve për të kërkuar fitoren historike në tokën serbe.