Trajneri i kombëtares franceze të basketbollit, Frederic Fauthoux, ka publikuar listën përfundimtare me 12 lojtarë që do të përfaqësojnë Francën në Eurobasket.
Edhe pse mungojnë yjet e NBA-së si Victor Wembanyama (San Antonio Spurs) dhe Rudy Gobert (Minnesota Timberwolves), si dhe emra të njohur të Euroligës si Evan Fournier (Olympiacos) dhe Mathias Lessort (Panathinaikos), Franca mbetet një nga skuadrat më të forta të turneut dhe një pretendente serioze për medalje.
Në përbërje janë katër lojtarë nga NBA, Guerschon Yabusele (New York Knicks), Zaccharie Risacher (Atlanta Hawks), Alexandre Sarr (Washington Wizards), Bilal Coulibaly (Washington Wizards).
Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga lojtarë të nivelit të lartë në Euroligë dhe kampionate të tjera elitare, Theo Maledon (Real Madrid), Elie Okobo (Monaco), Isaia Cordinier (Efes), Sylvain Francisco (Zhalgiris), Jaylen Hoard (Maccabi), Mouhammadou Jaiteh (Dubai), Matthew Strazel (Monaco), Timothé Luwawu-Cabarrot (Baskonia).
Franca do të garojë në Grupin D, ku do të përballet me Belgjikën, Slloveninë, Izraelin, Poloninë dhe Islandën.
