#post_seo_title
Pas përfundimit të xhiros së tretë në elitën e futbollit kosovar, disa skuadra kanë konfirmuar formën e mirë, ndërsa të tjera po përballen me sfida serioze.

Gjilani, Ballkani dhe Drenica kanë shënuar fitoret e para të sezonit, duke ngritur moralin dhe pritshmëritë për vazhdimin e kampionatit. Në anën tjetër, Prishtina dhe Ferizaj janë njohur me humbjen e dytë radhazi, duke u futur herët në një seri negative.
Prishtina e Re, e cila e nisi sezonin me fitore, ka pësuar dy humbje radhazi. Ndryshe nga Dukagjini, që pas disfatës në javën e parë, ka reaguar fuqishëm me dy fitore të njëpasnjëshme.

Ballkani konfirmoi edhe një herë statusin e favoritit, me një fitore të vonë dhe dramatike ndaj Ferizajt, që ndonëse ishte pranë një pike të madhe deri në minutën e 90-të, nuk arriti të mbrojë rezultatin.
Malisheva, nga ana tjetër, është skuadra më e dobët mbrojtëse në tri javët e para. Me vetëm një barazim ndaj Ballkanit në xhiron e dytë – ndeshje në të cilën shënuan edhe golin e tyre të vetëm – ata kanë pësuar dy humbje dhe kanë pranuar gjithsej gjashtë gola, më shumë se çdo skuadër tjetër deri më tani. Kjo ka ngritur pikëpyetje për vendimin e klubit për ta larguar trajnerin Bekim Isufi dhe për ta zëvendësuar atë me Qatip Osmanin apo për të angazhuar një tjetër trajner.

Ndërkohë, një situatë e pazakontë u shënua sot kur Malisheva aktivizoi sulmuesin më të mirë të edicionit të kaluar me Suharekën, Mevlan Zeka – i cili ndërkohë kishte nënshkruar kontratë me skuadrën rumune UTA Arad. Aktivizimi i tij konsiderohet si “i fshehtë”, dhe mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë në ekipin e ri.
Ndërkohë, nesër pritet përballja interesante mes Llapit dhe Dritës, që zhvillohet nga ora 16:30. Kampionët aktualë, Drita, kanë gjithashtu një ndeshje më pak për të zhvilluar ndaj Drenicës.
