SC Gjilani

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka inicuar procedura ndaj klubit SC “Gjilani” dhe disa zyrtarëve të saj pas incidenteve të raportuara në ndeshjen kundër FC Dukagjini, të zhvilluar në kuadër të Superligës së Kosovës.

Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes, SC “Gjilani” akuzohet për mosmarrje të masave të nevojshme në organizimin e ndeshjes, duke lejuar praninë e personave të paautorizuar në hapësirat zyrtare të stadiumit, përfshirë edhe korridoret. Këta persona kanë ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët e ndeshjes, ndërsa incidentet kanë vazhduar edhe në zonën e parkingut të stadiumit.

Ndërkohë, ndaj kryetarit të klubit, Fatlum Pireva, është ngritur procedurë për ofendime dhe kërcënime në baza personale e familjare ndaj gjyqtarëve, ndërsa ai ka qëndruar në tribunën zyrtare gjatë gjithë pjesës së dytë të ndeshjes. Pas përfundimit të takimit, Pireva ka zbritur në korridorin e stadiumit, ku ka vazhduar me ofendime dhe kërcënime në drejtim të gjyqtarëve.

Po ashtu, sekretari i klubit, Mirand Avdiu, është ndëshkuar me karton të kuq direkt për reagime të vazhdueshme dhe ofendime ndaj gjyqtarit kryesor gjatë pjesës së dytë të ndeshjes.

Edhe përfaqësuesi për siguri i klubit, Adonis Maloku, është ndëshkuar me karton të kuq për ofendime të përsëritura ndaj gjyqtarit kryesor, duke reaguar nga bankina.

Komisioni Disiplinor pritet të shqyrtojë rastin dhe të marrë masat e nevojshme ndaj klubit dhe zyrtarëve të përfshirë, bazuar në raportet zyrtare të ndeshjes.