Zum Inhalt springen
Novak Gjokoviç

Gjokoviç: Serbia është në prag të luftës civile

Von
3 Min. Lesezeit

Në fillim të gushtit u konfirmua se turneu ATP do të zhvendoset nga Beogradi në Athinë, ndërsa Novak Gjokoviç, pak para nisjes së US Open në New York, u shpreh me emocione për këtë vendim.

“Ne nuk donim ta zhvendosnim turneun, kjo është gjithçka që mund të them. Fatkeqësisht, gjërat janë kështu siç janë”, deklaroi ai, duke shtuar se shpreson që një ditë turneu të rikthehet në Serbi.

“Nga ana jonë ekziston gjithmonë dëshira dhe vullneti. Vëllai im, Gjorgje, që e menaxhon turneun, thjesht u vendos në një situatë ku turneu duhej të zhvendosej. Shpresoj që në të ardhmen të vijnë kohë më të mira dhe që turneu të rikthehet, ndoshta edhe në një kategori më të lartë. Publiku në Beograd e do shumë tenisin, dhe Serbia, falë sukseseve tona, është bërë një vend i rëndësishëm tenisi në këto 20 vitet e fundit”, u shpreh Djokoviç për Sportklub.

“Jemi në prag të luftës civile”

Gjokoviç foli edhe për situatën sociale në vend:

“Gjendja në vend është e tillë që sporti ndoshta është gjëja e fundit për të cilën njerëzit mendojnë. Ka shumë tensione, tranzicion i madh, si për popullin ashtu edhe për shtetin. Pa hyrë në politikë, shpresoj që gjakrat të qetësohen. Situata ka eskaluar – jemi praktikisht në prag të një lufte civile. Dua të besoj se do të ketë qetësim të situatës, por për momentin nuk ka shenja të tilla,” tha ai.

“Mezi presim Athinën”

Ai falënderoi edhe mikpritësit e rinj të turneut, që nuk kishin organizuar një ngjarje ATP që nga viti 1994:

“Jemi të entuziazmuar për zhvendosjen në Athinë, ku na pritën me shumë ngrohtësi. Janë shumë të lumtur që pas kaq vitesh do të organizojnë sërish një turne. Kjo është një arritje e madhe për Greqinë, që është më e madhe se Serbia, por kemi mentalitet të ngjashëm. E duan shumë basketbollin, e pëlqejnë sportin dhe në tenis kanë Cicipasin dhe Sakkarin që janë në elitën botërore. Tenisi po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar atje. Turneu do të zhvillohet në arenën OAKA, e cila është e madhe dhe e mrekullueshme. Ndjek basketbollin rregullisht dhe shpresoj që pjesëmarrja të jetë e lartë,” theksoi Gjokoviç.

Turneu në Athinë është planifikuar të zhvillohet nga 2 deri më 8 nëntor. Gjokoviç ndeshjen e tij të fundit e luajti në finalen e Wimbledonit, ndërsa në raundin e parë të US Open do të përballet me amerikanin Lerner Tien, i 48-ti në renditjen botërore. Ndeshja do të zhvillohet në orën 1 pas mesnate të së dielës me të hënën.

Vuçiq u drejtohet studentëve, reagon ashpër blloku studentor

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu drejtua studentëve që prej gati tetë muajsh janë në protestë kundër regjimit të tij dhe i ftoi për një debat publik televiziv:

“Propozoj një bisedë dhe debat në të gjitha televizionet dhe portalet tona, me përfaqësuesit legjitimë që ata zgjedhin. Jam i gatshëm të hyj në dialog publik me tre ose katër prej tyre që mendojnë ndryshe. Ata kanë të drejtë ta kërkojnë këtë nga presidenti i tyre, përfshirë edhe zgjedhjet dhe gjithçka tjetër.
Është koha të shfaqen fytyrat tona, të shfaqen vizionet dhe programet. Dua një betejë vizionesh, një betejë për të ardhmen – që gjithçka të zgjidhet me dialog dhe jo me konflikt apo dhunë. Të rindërtojmë vendin dhe ta kthejmë në rrugën e duhur. Do të bëj gjithçka për të treguar respekt”, deklaroi Vuçiq.

Por, studentët reaguan ashpër ndaj kësaj ftesë, duke këmbëngulur që presidenti të shpallë zgjedhje të reja.

Teilen: Facebook X